Nga Gazeta Si- Studentët e mjekësisë i kanë bërë kërkesë Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla që të mundësojë pjesëmarrjen e studentëve në Komisione që shqyrtohet në projektligji për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë.
“Ne, studentët e mjekësisë kemi bërë kërkesa të njëpasnjëshme për pjesëmarrje në komisionet përkatëse dhe deri më tani nuk jemi pranuar në asnjë komision përveç atij të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Ne si grup interesi kemi të drejtën ligjore që të jemi të pranishëm dhe të dëgjohemi në Komisionet përkatëse. Ju lutemi si kryetarja e Kuvendit të mundësoni pjesëmarrjen tonë”, shkruhet në kërkesën drejtuar Nikollës.
Ky projektligj po shqyrtohet në Komisionin për Çështjet ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Deputetja Dhurata Çupi ngriti po këtë shqetësim duke thënë se ministria nuk është konsultuar me studentët.
“Ne duhet të dëgjojmë studentët, jo qeverinë e mazhorancën. Ka një tabelë ku thuhet se do të ketë konsultim me grupet e interesit. Por kjo tabelë është bosh. Me kë jeni konsultuar kur nuk jeni konsultuar me studentët?”, u shpreh deputetja Çupi.
Nga ana tjetër kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, e justifikoi këtë me mungesën e kohës pasi sipas saj ligji kalon me procedurë të përshpejtuar për shkak të urgjencës dhe do krijonte vonesa thirrja e tyre.
Ndërsa Ministrja Kushi tha se konsultimet nuk gjenden në tabelë për shkak të kohës duke qenë se ligji po kalon me procedurë të përshpejtuar por konsultimet me studentët janë bërë.
“Kemi bërë dy herë konsultime me studentët. Jam dakord që studentët janë të shqetësuar por interesi më i lartë publik që është sigurimi i kujdesit shëndetësor për popullatën prevalon kundrejt një interesi të një grupi siç është rasti i studentëve të mjekësisë”, tha Kushi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



