Arsim

Stresi i mësuesve për heqjen e regjistrit fizik i paralajmëruar prej kohësh nga ekspertët

Nga Gazeta Si- Ka mjaftuar një njoftim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që mësuesit të stresohen që në fillim të vitit shkollor.

“Viti 2023-2023 është viti i parë shkollor ku i gjithë dokumentacioni shkollor (regjistra, fletë informuese për prindërit, dëftesa etj) do të realizohen vetëm nëpërmjet sistemit SMIP”, thuhej në njoftimin e MAS.

Kjo do të thotë se mësuesve do t’u duhet që çdo notë, mungesë apo shënim do e hedhin online pasi nuk do të ketë më regjistra fizik.

Drejtori i një shkolle në Kryeqytet, i cili nuk dëshiron të identifikohet, tha për Gazetasi.al se deri më tani nuk ka ende një shkresë zyrtare, edhe pse lajmi është përhapur me shpejtësi.

“Unë si drejtor shkolle nuk kam marrë një shkresë zyrtare apo një njoftim zyrtar se nuk do të ketë më regjistra fizik por gjithsesi në rrugë jo zyrtare na është thënë lajmi se këtë vit do hedhim çdo të dhënë në platformën SMIP”, thotë drejtori.

Ai shton më tej se diçka e tillë nuk i ka pëlqyer aspak një pjese të mirë të stafit të tij, si mësuesve që po afrohen moshës së pensionit.

“Janë mësues në vjetër në moshë dhe për to është shumë e vështirë që pas 30 vitesh që përdorin regjistër fizik, t’u duhet të mësojnë të përdorin kompjuterin apo tabletin. Deri diku, refuzojnë që teknologjia të ‘pushtojë’ shkollat deri në këtë pikë dhe këto mësues janë të vendosur që notat dhe mungesat do vazhdojnë t’i mbajnë në ditarë dhe më pas do të gjejnë dikë që ti ndihmojë për të hedhur të dhënat online”.

Ndërkohë, dy mësuese në rrethe që kontaktoi Gazetasi.al thonë se shumë herë, as lënda e TIK-ut nuk zhvillohet për shkak të mungesës së internetit.

“Ne të rretheve kemi shumë probleme me internetin dhe do e kemi shumë të vështirë që çdo të dhënë ta hedhim online në një platformë që shumë prej nesh as nuk dimë ta përdorim. Kjo na ka stresuar shumë”, thonë dy mësueset, rreth të 50-tave.

Një situatë e tillë është paralajmëruar më herët nga ekspertët e arsimit dhe sociologët.

Sipas ekspertit të arsimit Qemal Çejku, ky aplikacion shton më shumë boshllëqet që janë tani në arsimin parauniversitar.

“Në 3 vite pandemi dështoi mësimi online dhe pasojat po ndihen edhe tani. Një aplikacion i tillë nuk përmirëson cilësinë e shkollimit të fëmijëve, thjesht shton lodhjen e mësuesve”, thotë Çejku i cili shton se mësuesit nuk janë trajnuar dhe “shumë prej tyre nuk janë as përdorues të teknologjisë”.

Sipas Çejkut, ky aplikacion do të jetë një lodhje, mundim dhe stres për stafet arsimore dhe një angazhim i shtuar që do të përkthehet në ulje performance dhe motivimi.

Çejku thotë se aplikimi i një projekti të tillë, në mungesë të plotë të logjistikës dhe një industrie të pajisjeve të internetit do të ketë një ndikim negativ në arsim.

“Një projekt i tillë nuk është reformë në arsim”, përfundoi Çejku.

Ndërsa Isa Halilaj, kryetari i sindikatës së Arsimit parauniversitar ka thënë më herët për Gazetasi.al se edhe pse çdo risi është diçka pozitive për arsimin në vendin tonë, në rastin konkret nuk ndodh kështu.

Halilaj përmend faktin se për të funksionuar si duhet një aplikacion i tillë, duhet infrastruktura e duhur nëpër shkolla.

“Në rastin konkret nuk ekziston infrastruktura e nevojshme. Shumë shkolla nuk kanë as kompjuterë apo internet”, thotë Halilaj.

Një shqetësim tjetër që ngre Halilaj është edhe mungesa e trajnimit të mësuesve, pasi jo çdo mësues është i mësuar me teknologjinë, sidomos me aplikacione të tilla.

Një aplikacion i ngjashëm është krijuar prej shumë vitesh tashmë në botë, ku kudo ka pasur boshllëqe të mëdha.

Në Amerikë ka “një bollëk” programesh ku prindërit mund të gjurmojnë përparimin e përditshëm të një nxënësi.

Me emra si Edline, ParentConnect, Pinnacle Internet Viewer dhe PowerSchool, këto aplikacione përdoret nga mijëra kopshte dhe shkolla deri në klasën e 12-të. Vetëm PowerSchool përdoret nga 10,100 shkolla në 49 shtete.

New York Times shkruan se shkollat i kanë përdorur më shumë këto aplikacione pasi kompjuterat filluan të jenë një pajisje e zakonshme në shtëpi.

Një sfidë që përmend New York Times është edhe pabarazia.

"Disa prindër nuk kanë akses në shërbimet e teknologjisë", tha para disa vitesh Jonathan Epstein, profesor në Johns Hopkins.

Ai thotë se të thuash që kushdo mund të gjejë mënyrën për të përdorur një aplikacion të tillë është e padrejtë.

Prindërit në Amerikë kanë pohuar se u është dashur shumë kohë që të mësohen për të përdorur më së miri aplikacionin, diçka që do jetë po njësoj edhe për një pjesë të prindërve në vendin tonë.

Gjithashtu një problem tjetër i përbashkët midis Amerikës dhe Shqipërisë është edhe ngarkesa për mësuesit kujdestar.

“Një anë negative e këtij aplikacioni është edhe ngarkesa për mësuesin kujdestar i cili ka një detyrë të shtuar krahas shumë detyrave të tjera që zhvillon. Ngarkesa përkthehet në ulje të produktivitetit”, ka thënë më herët Marsida Simo, sociologe.

Ndërkohë mësuesit në Amerikë kanë thënë se suksesi i programeve të tilla varet gjithashtu nga gatishmëria e mësuesve për t'i përditësuar ato me saktësi dhe për t'u kushtuar kohë mesazheve pasuese të prindërve.

Duke cituar studime që tregojnë se përfshirja e prindërve mund të ketë një efekt pozitiv në performancën akademike të fëmijës, në botë është vënë në dukje edhe fakti se një aplikacion i tillë ka dëme anësore siç është stresi i fëmijëve duke e ditur se janë të “mbikëqyrur” vazhdimisht në kohë reale nga prindërit si dhe rritja e tensioneve midis fëmijëve dhe prindërve.

Sociologe Simo ka thënë se si prind, ky aplikacion i lehtëson qasjen ndaj informacionit, pavarësisht se përpiqet të mbajë kontakte të vazhdueshme me mësuesen kujdestare për ecurinë dhe zhvillimet në shkollë.

Por Simo thekson se përpos notave dhe aktiviteteve, prindërit duhet të bëjnë kujdes më shumë me sjelljen, emocionet, zhvillimin psiko-social të fëmijës sesa të fokusohen te notat si shifra.

“Pavarësisht lehtësimit të platformës, mendoj se sërish kontakti me shkollën si institucion, stafin mësimor dhe mësuesen kujdestare duket realizuar edhe fizikisht për të qenë më në brendësi të ecurisë së fëmijës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë