Libra

‘Stina’ e Panaireve/ Festa e librit pushton hapësirën shqipfolëse

Nga Gazeta “SI”- Qershori ka ardhur këtë vit si një muaj i të lexuarit dhe i fjalës së shkruar, duke mbledhur rreth librit qytete, lexues dhe autorë në tri prej qendrave më të rëndësishme të kulturës shqipfolëse: Shkodër, Prishtinë dhe Preshevë.

Një atmosferë festive që shkon përtej shitjes së librave, përtej marketingut kulturor  drejt krijimit të një hapësire dialogu, reflektimi dhe prezence të botës letrare në jetën publike.

Shkodra, pikënisja simbolike

Në fillim të muajit, për herë të parë në Shkodër u organizua një panair libri me temën domethënëse: “Libri të bën të lirë”. Në një qytet me traditë të hershme kulturore e letrare, ku figura si Migjeni, Mjeda apo Fishta janë të lidhura ngushtë me kujtesën kolektive, ky aktivitet shënoi një hap të rëndësishëm për ringjalljen e jetës letrare urbane.

Ndonëse në edicionin e tij të parë, Panairi i Shkodrës u prit mjaft mirë, duke dëshmuar se interesi për librin mbetet i gjallë dhe se qyteti ka potencial për t’u kthyer në një pikë takimi të autorëve dhe lexuesve të veriut të Shqipërisë.

Prishtina, një çerek shekulli panair

Nga data 11 deri më 15 qershor, vëmendja zhvendoset në Prishtinë, ku do të mbahet edicioni i 25-të i Panairit të Librit , një ngjarje që ka hyrë në kalendarin letrar të gjithë trevave shqipfolëse si ngjarja më e madhe e këtij lloji në Kosovë.

Me pjesëmarrjen e qindra titujve të rinj, dhjetëra shtëpi botuese dhe autorë nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora, ky panair nuk është më thjesht një vend për të blerë libra, por një arenë idesh, takimesh dhe prezantimesh letrare.

Për këtë vit, organizatorët kanë përzgjedhur temën “Inteligjenca rrjedh nga libri”, si një mesazh që kërkon të kundërvërë fuqinë e dijes klasike me shpejtësinë digjitale të epokës sonë.

Në këtë kuadër, pritet që panairi të sjellë aktivitete që nxisin jo vetëm blerjen, por edhe leximin kritik, debatet dhe takimet kreative.

Në mënyrë domethënëse, ky edicion do të mbahet në një atmosferë përkujtimore të figurave si Martin Camaj, Petro Marko, Faik Konica dhe Pashko Vasa katër emra të mëdhenj të mendimit dhe letërsisë shqiptare që e tejkalojnë kufirin e fjalës së shkruar për të hyrë në historinë e vetëdijes kombëtare.

E ftuar nderi këtë vit është shkrimtarja franceze Sophie Képès, e njohur për lidhjet e saj me letërsinë e Evropës Juglindore.

Sipas Edon Zenelit, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, karakteri i panairit ka ndryshuar dukshëm vitet e fundit.

“Nëse dikur shihej si një ‘librari e përkohshme’ ku njerëzit vinin të blinin libra, sot ai është më shumë një qendër ekspozimi, takimi dhe simbol i vëmendjes kulturore që kërkon lexuesi,” thotë Zeneli.

Përkundër rënies në shitje, numri i vizitorëve mbetet i lartë, rreth 30 mijë çdo vit , një shifër që dëshmon besnikërinë e publikut ndaj këtij formati.

Presheva, një panair që synon të bëhet traditë

Në datat 21 dhe 22 qershor, për herë të parë, Presheva do të organizojë Panairin e Librit në sheshin qendror të qytetit , një ngjarje me përmasë kulturore dhe simbolike të thellë, në një zonë ku gjuha dhe letërsia shqipe përballen shpesh me margjinalizim.

Nisma vjen si rezultat i bashkëpunimit mes Komunës së Preshevës dhe Ambasadës së Shqipërisë , duke patur për qëllim që të krijojë një hapësirë të re kulturore për shqiptarët e Luginës.

Nën drejtimin e Drejtoreshës së Bibliotekës së Preshevës, znj. Albina Azizi, dhe me mbështetjen e punonjësve Hasan Hasani e Qendrim Hetemi, si dhe nwn kujdesin e Kryetares së Komunës,  Ardita Sinani, ky panair synon të sjellë në Preshevë disa nga emrat më të njohur të letërsisë shqipe.

Presheva

Edhe pse me pjesëmarrje më të reduktuar për shkak të hapësirës dhe fondeve, panairi pritet të krijojë një precedent të rëndësishëm për përfshirjen e komuniteteve shqiptare në Serbi në jetën kulturore kombëtare.

Një muaj për të rikujtuar fuqinë e fjalës së shkruar

Kështu, muaji qershor nuk është thjesht një muaj me aktivitete të izoluara kulturore, por një itinerar i leximit që lidh qytetet shqiptare nga veriu në jug e përtej kufirit.

Nga Shkodra me temën e lirisë përmes librit, te Prishtina që thekson inteligjencën e ndërtuar mbi fjalën e shkruar, e deri në Preshevë ku organizimi i një panairi është vetë një akt kulturor dhe politik  të tre këto aktivitete krijojnë një panoramë të gjallë të vitalitetit që ende mban libri në zemrën e shoqërisë shqiptare.

Në një kohë kur sfidat e teknologjisë, të leximit digjital dhe të konsumit të shpejtë janë gjithnjë në rritje, këto panaire janë një ftesë për të ngadalësuar ritmin, për të marrë frymë në një faqe libri dhe për të rigjetur veten në pasqyrën e letërsisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë