Art dhe Kulture

Startojnë ‘Karnavalet e Shkodrës’/ Shtatë ditë festë dhe maska

Nga Gazeta “SI”– Ka nisur  sot java e karnavaleve të Shkodrës. Aktivitetet e ditës së parë i dedikohen nxënësve të shkollave ndërkohe në ditët në vazhdim  do të ketë parada, koncerte dhe shumë aktivitete të tjera.

Njoftimin e ka dhënë Bashkia Shkodër në rrjetin social facebook.

“Karnavalet e Shkodrës kanë startuar, duke sjellë një javë të mbushur me ngjyra, muzikë dhe emocione! Atmosfera festive ka nisur me interpretimet e shkollave të qytetit, ku fëmijët, të shndërruar në personazhe të ndryshme, kanë dhuruar spektakël dhe gëzim në rrugët e Shkodrës”

Këtë vit Karnavalet do të zgjasin shtatë ditë duke e kthyer Shkodrën në një destinacion të  kulturës dhe argëtimit.

“Parada madhështore, koncerte dhe performanca artistike do të shoqërojnë qytetin për shtatë ditë, duke ruajtur një traditë të pasur kulturore dhe duke e kthyer Shkodrën në një destinacion të vërtetë festash” mbyll postimin Bashkia Shkodër.

Tradita e festimit të karnavaleve në Shkodër daton që në 1860, për tu ndërprerë gjatë periudhës së diktaturës komuniste e për tu rikthyer pas rënies së  sistemit. Karnavalet e Shkodrës krijojnë imazhe  koherente por gjithnjë duke qënë  të lidhur në mënyrë konkrete me rrënjët historike dhe kulturore të këtij qyteti .

Dita e karnavaleve është një festë, ku ndërthuret historia dhe kultura, e cila në vetvete përmban shumë domethënie që identifikohet me një maskë apo ngjyrë karakteristike të kësaj feste. Karnavalet janë një feste në qytet, duke bërë bashkë të mëdhenj dhe të vegjël, në një traditë sa të vjetër po aq dhe moderne.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë