Arsim

A kanë nxënësit palestër për orën e fiskulturës?!

Në një bisedë mes dy prindërish, e cila pashmangshmërisht barte dhe nuancë pëlqimesh politike, po flitej për orët e shtuara të fiskulturës në shkollat 9-vjeçare në vend.
Njëra syresh prej nënave po lavdëronte nismën e kryeministrit që orët e edukimit fizik janë shtuar, kurse nëna tjetër pa arritur të kontrollonte mllefin, me zë të lartë nisi të fliste për një budallallëk sipas saj të kësaj nisme.

Sepse, po i tregonte ajo, fëmija im, vetëm orë fiskulture nuk bën.

“Sa klasa ka një shkollë? Sa orë janë shtuar? Ndërkohë që shkolla vazhdon të ketë atë palestër të vetme që ka pasur. Përplasje oraresh dhe kush bën më parë orë sportive në palestër? Klasa e fëmijës sime i bën orët e fiskulturës mes rreshtave të bankave në klasë ku zhvillon edhe orët e tjera të mësimit”- vazhdonte të argumentonte nëna e mllefosur.
Por në 2014-ën Kryeministri Rama gjatë një vëzhgimi se si po trajnoheshin mësuesit e fiskulturës në Vlorë do të shprehej: “ Jemi vendi i vetëm në Europë dhe me distancë nga vendi i parafundit për lëvizje fizike të popullatës. Nga një matje e bërë në shkallë kontinenti, vetëm 4% bënin ushtrime fizike, ndërkohë që në Finlandë, ku treçereku i vitit është errësirë, 92% bëjnë ushtrime fizike, të cilat nuk janë qëllim në vetvete, por tregojnë për shëndetin publik në një shoqëri. Kemi 50 % të popullsisë në mbipeshë , ndërkohë 25% janë në kushte obeziteti”.

Por sa investon Europa për sportin dhe rekreacionin? Sa investon Shqipëria për këtë sektor?
Sipas Eurostat, në 2017-ën, pjesa që shpenzon qeveria në rekreacion dhe sporte në raport me shpenzimet totale varion sipas shteteve anëtare të BE-së nga 0.2% të shpenzimeve totale në Kroaci, 0.4% në Irlandë, në Maltë, Sllovaki dhe Mbretëri të Bashkuar, 1.2% në Luksemburg, 1.4% në Estoni dhe 2.5% në Hungari.

Të dhënat tregojnë se Luksemburgu shpenzon më shumë për banorë në rekreacion dhe sporte, kurse Kroacia dhe Bullgaria më pak.

Shpenzimet e qeverisë për rekreacion dhe sport për banorë ishin mbi 200 € në tre shtete anëtare të BE-së në vitin 2017. Më të larta u regjistruan në Luksemburg (492 € për një banor) dhe më të ulta në Kroaci (13 € për banor).

Sipas raportit të monitorimit të Ministrisëë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, buxheti i rishikuar për Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë për vitin 2017, arrin në shumën prej rreth 36 mld lekë, dhe ndaj produktit të brendshëm bruto përfaqësojnë vetëm 2.28%.
Kurse realizimi për pjesën e sportit është 0,8% e strukturës.

Ndërsa sipas një raporti të financuar nga Friedrich Ebert mbi politikat rinore në Shqipëri, referohet se “Rinia edhe pse ka qënë një zë më vete në strukturën e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nuk ka patur një buxhet specifik sipas nevojave të veta. Hapësirat publike për të rinjë janë të financuara nga planifikimet për investime nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe nga planifikimet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.”

Nëpërmjet Fondit për Zhvillimin e Rajoneve në Programin për Zhvillimin e Infrastrukturës Vendore dhe Rajonale në grantin për zhvillimin e sportit njesitë e qeverisjes lokale kanë mundësi të aplikojnë me projekte për ndertimin e terreneve sportive. Fondet për vitin 2017 kanë qënë në nivelin zero lekë, ndersa për vitin 2018 këto fonde janë në vlerën e 200 milionë lekë dhe për vitin 2019 në vlerën e 350 milionë lekë.

Qendrat Rinore janë një premtim i vazhdueshëm i politikës dhe në Planin Kombetar i Veprimit për Rininë 2015-2020 është e theksuar ngritja e tyre në secilin nga dymbedhjetë qarqet e vendit. Mbështetja financiare e ulët dhe mospercaktimi i kopetencave midis pushtetit qendror dhe atij lokal ka sjellë mos hapjen e tyre në nivelin e percaktuar nga Plani Kombëtar i Veprimit.

Fondet e parashikuara për ngritjen e qendrave rinore të reja janë në kuadër të programit të Përfshirjes Sociale nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Në Projekt Buxhetët Afatmesëm për dymbëdhjetë bashkitë e marra në analizë nuk ka të
parashikuar fonde për hapësira publike të destinuara për të rinjtë. Investimet në
Programin e Sherbimeve Publike kryesisht janë në mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore dhe ndriçimin e rrugëve si edhe në shpenzime operative për mirëmbajtjen e parqeve ekzistuese.
Përjashtim përbën Bashkia Tiranë e cila ka në prioritetin e saj ndërtimin e disa qendrave rekreative të cilat do të jenë për vitet në vijim dhe që janë në proces si Bulevardi i Ri i Tiranës, Parku Orbital si edhe rehabilitimin dhe ndërtimin e terreneve sportive brenda lagjeve të ndryshme për të krijuar një Tiranë policentrike.

Gjithashtu në programin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë fondet për hapësirat publike për të rinjtë janë në nivelin e shpenzimeve operative, shpenzime për paga të personeleve të ambjentëve ekzistuese të biblotekave, Qendrave Kulturore, Klubeve Shumësportesh, si edhe në paga për sportistët profesionistë.

Në secilën nga njësitë e qeverisjes vendore mungojnë fondet për përmirësimin e situatës lidhur me mungesën e mjedisëve publike për të rinjtë. E vetmja mënyrë për ndërtimin e hapësirave publike për të rinjtë është nëpërmjet aplikimit me projekte pranë Fondit për Zhvillimin e Rajonëve sepse në PBA 2017-2019 nuk ka fonde të parashikuara. Gjithashtu mungojnë fondet për investim në mjedisët e artit dhe hapësirat që mund të aksesohen nga të rinjtë, por që kanë një përdorim më të gjerë dhe janë të destinuara për publikun e gjerë. Kjo situatë në mbeshtetje financiare shkon në një qasje të kundërt me retorikën dhe premtimet përsa i përket hapësirave për të rinjtë, ndërtimin e parqeve polifunksionale apo ambientëve ku të rinjtë mund të mblidhen për tu organizuar apo për të shprehur talentin e tyre.

Raporti rekomandon hapjen e një qendre rinore publike ku të bashkojë të rinjtë në iniciativat dhe për të shprehur talentin e tyre si edhe kalimi në menaxhimin e të rinjëve në qendrat egzistuese. Modelet e ngritura nga sipërmarrja private konsiderohen një shembull suksesi mirëfunksionimi si një qendër rinore dhe si një biznes social çfarë siguron një autonomi në funksionimin e qendrës.

Mirëpo ka ende punë për të bërë në zbatimin e objektivave të parashikuar nga Plani Kombëtar i Veprimit. Mungesë në nivel lokal vërehet në krijimin e terreneve sportive për të rinjtë në lagje apo njësi administrative, si dhe shtimin e parqeve publike për të rinjtë (hapësirë e gjelbërt, terrene sportive). Gjithashtu duhen parashikuar fonde shtesë për mirëmbajtjen dhe pajisjen me botime bashkëkohore për bibliotekat e qyteteve.

Nuk ka njeri në botë të ketë kundërshti me kryerjen e sporteve, madje në ditët tona ushtrimet fizike janë kthyer në trend, përpos se nevojë dhe domosdoshmëri për të qenë shëndetplotë dhe në formë fizike, por problem mbeten financimet.

Prandaj nismat duhen ndërtuar mbi bazën e strategjive dhe jo vetëm mbi ëndrra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë