Nga Gazeta Si- U deshën 33 vite, një bojkot kampionati, dhjetëra takime dhe premtime të përsëritura, që qeveritë dhe sporti të arrinin në një pikë dakordësie për ligjin e sponsorizimeve. Nga ligji bazë i vitit 1994 deri te hyrja e pritshme në fuqi në 2027, historia e këtij kuadri ligjor është më shumë një kronikë zvarritjeje sesa reforme. Ndërsa sot flitet për “frymëmarrje” dhe “horizont të ri” për biznesin në sport, kalendari tregon një realitet tjetër: sporti shqiptar ka pritur gati tre dekada për një ligj që e ka kërkuar me ngulm prej vitesh.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja deklaroi në Asamblenë Zgjedhore të Federata Shqiptare e Futbollit se deri në fund të këtij viti do të jenë gati aktet nënligjore dhe se ligji do të hyjë në fuqi në vitin 2027. Sipas tij, ky kuadër do t’i japë më shumë frymëmarrje biznesit që investon në sport.
Por pas këtij njoftimi optimist qëndron një histori e gjatë pritjeje.
Sponsorizimet në sport mbështeten ende te Ligji nr. 7892, datë 21.12.1994, i ndryshuar ndër vite, që parashikon lehtësira tatimore për bizneset sponsorizuese. Zbritjet nga tatim-fitimi kanë qenë të kufizuara, zakonisht në nivele 15–20% për sportet më të përhapura si futbolli, basketbolli apo volejbolli.
Prej vitesh, përfaqësuesit e sportit e kanë konsideruar këtë kuadër të pamjaftueshëm dhe jo konkurrues krahasuar me vendet e rajonit.
Debati arriti kulmin në vitin 2020, kur Liga Profesioniste bojkotoi kampionatin e futbollit të Superiores, duke vendosur si kusht ndryshimin e ligjit të sponsorizimeve. Bojkoti u mbyll pas premtimeve të qeverisë se kërkesat do të merreshin në konsideratë.
Që prej asaj kohe nisi një seri takimesh mes përfaqësuesve të sportit dhe qeverisë. Në tryeza u përfshinë ministra si Evis Kushi, Anila Denaj, si dhe vetë Kryeministri Edi Rama. Pas çdo takimi, deklaratat ishin të njëjta: diskutime të frytshme dhe premtime për zgjidhje të afërt.
Në një nga këto takime, presidenti i FSHF-së, Armando Duka, deklaroi se “Ministrja Evis Kushi e priti shumë mirë propozimin tonë dhe do ta ndjekim bashkarisht procesin për të pasur një ligj sponsorizimi në vitin 2022”. Por afatet kaluan dhe ligji mbeti në sirtarë.
Nga 2020 në 2027: një kalendar i zgjatur
Edhe pse bisedimet për ndryshimin e ligjit nisën zyrtarisht në vitin 2020, hyrja në fuqi e plotë e kuadrit të ri pritet në 2027. Në praktikë, kjo e çon kohën totale të pritjes në 33 vite nga miratimi i ligjit bazë të vitit 1994.
Ministri e cilëson ligjin si një hap që do të hapë “një horizont shumë të madh”. Megjithatë, sporti shqiptar ka dëgjuar deklarata të ngjashme edhe më parë.
Deri në vitin 2027, klubeve dhe federatave u mbetet të presin edhe pak, duke shtuar në kalendarin e tyre një pritje që tashmë ka hyrë në dekadën e tretë.
Ndryshimet që do pësojë ligji
Duke qenë se sponsorizimet konsiderohen si veprimtari me risk të lartë për ndikim të paligjshëm, qarkullim apo pastrim parash, projektligji i ri vendos filtra të fortë për kategoritë që mund të jenë sponsorizues.
Sipas draftit, përjashtohen nga e drejta për të sponsorizuar organet publike personat fizikë dhe juridikë të dënuar për korrupsion aktiv ose pasiv, pastrim parash, financim të terrorizmit, trafikim të paligjshëm, evazion fiskal, mospagim detyrimesh tatimore apo falsifikim dokumentesh. Gjithashtu, kufizohen edhe subjektet që operojnë në fusha të ndjeshme si lojërat e fatit, duhani dhe alkooli. Të njëjtat kritere do të aplikohen edhe për sponsorizimet ndaj organizatave jofitimprurëse dhe shoqërive sportive.
Një nga elementet qendrore të projektligjit është krijimi i Regjistrit Elektronik Kombëtar për Sponsorizimet, i cili do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Regjistri do të jetë publik për sponsorizimet ndaj organeve publike. Megjithatë, për sponsorizimet e organizatave jofitimprurëse dhe subjekteve private, të dhënat nuk do të jenë të hapura për publikun, por vetëm për organet ligjzbatuese dhe tatimore.
Një tjetër risi me ndikim ekonomik është lidhja e sponsorizimeve me lehtësitë tatimore. Projektligji parashikon njohjen e sponsorizimeve si shpenzim i zbritshëm nga tatimi mbi fitimin, me skema të posaçme nxitëse për sponsorizimet në art, kulturë dhe sport. Në të njëjtën kohë, përfituesit e sponsorizimeve përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat e përfituara.
Gjithashtu, projektligji kërkon publikimin e raporteve mbi përdorimin e fondeve pas përfundimit të kontratave.
Për shkeljet parashikohen sanksione administrative dhe disiplinore, si dhe humbje e përfitimeve fiskale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



