Gazeta Si - Ukrainasi Fedir Alpatov, i kapur së bashku me dy rusët në uzinën e armëve në Gramsh në 20 gusht i dyshuar si spiun, ka kërkuar të lirohet.
Përmes avokatit të tij Sajmir Vishaj, i riu ka ankimuar vendimin e gjykatës për masën e sigurisë 'arrest me burg' duke kërkuar një masë më të lehtë.
Alpatov kërkon që të lihet në “detyrim paraqitje” dhe jo në burg deri në përfundim të hetimeve. Ai thotë se duhet të vazhdojë shkollën që të mos humbasë vitin, duke theksuar se nuk ka asnjë rrezikshmëri për t'u arratisur.
Avokati i tij, Saimir Vishaj shprehet se ndalimi i tij ka qenë jo i drejtë pasi, Alpatov nuk është spiun, por një njeri që ka hobi fotografimin e bunkerëve dhe reparteve të braktisura.
"Nuk ka qenë në vendin e ngjarjes kur është hedhur spraj neoparalizues dhe së dyti nuk ka asnjë lidhje me asnjë agjenci spiunazhi, qëllimi i vërtetë i ardhjes në Shqipëri ka qenë për hobi për të shkuar në vendet ish-komuniste dhe fotografimi i bunkerëve apo reparteve të braktisura duke i nxjerrë më pas në rrjetet sociale, Instagram”.
Sipas Vishajt, ukrainasi, “në Shqipëri ndodhej për pushime, ku lekët e sekuestruara prej 6000 $ ia kishte dhënë mamaja e tij, Ilona për pushime të cilat janë sekuestruar", vijon dokumenti.
Gjykata e Elbasanit vendosi të lejë në burg më 24 gusht dy rusët dhe ukrainasin e arrestuar në Gramsh, edhe pse avokatët kundërshtuan duke theksuar se ata u trembën prandaj përdorën sprej
Bashkë me dy të tjerët ai akuzohet për “goditje për shkak të detyrës” dhe “dhënia e informacioneve sekrete”.
Në seancën gjyqësore mori pjesë edhe konsullja e Ukrainës në Tiranës, e cila tha se qytetari i vendit të saj është i pafajshëm.
Ngjarja në zuinën e armëve të Gramshit ndodhi pasditen e 20 gushtit, ku rojet vunë re lëvizje të dyshimta rreth objektit.
Ata kanë pikasur një person që kishte hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi, më pas efektivët i kanë bërë thirrje të ndalojë, por ai është larguar, duke përdorur sprej kundër rojeve.
Pas kapjes së tyre, policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, Mikail Zorin 24 vjeç. Por jshtë rrethimit të uzinës, kanë qenë edhe një vajzë dhe një djalë që shoqëronin këtë shtetas.
Në afërsi të zonës ushtarake policia bllokoi automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse Svetlana Timofoeva 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas Fedir Alpatov 25 vjeç.
Sipas burimeve ekskluzive të Gazetasi.al, ata të tre kanë hyrë pas njëri-tjetrit në Shqipëri. I pari hyri nga Hani i Hotit. I dyti nga Aeroporti i Rinasit dhe i treti nga Porti i Durrësit.
Nën koperturën e të rinjve aventurierë nga ditët e para të muajit gusht ata shfaqeshin duke bërë xhiro në kryeqytet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.