Opinion

Spiuni “digjital” që tregon kalbëzim të shtetit

Brezi i ri, i lindur pas viteve ’90, ndoshta nuk e ka idenë e “rolit” të spiunit në diktaturë. Por, nga dita në ditë po mëson për spiunin “digjital” të ditëve tona. Nga i pari i qeverisë dhe me radhë, vartësit e tij ministra, inkurajojnë që të spiunosh për çdo gjë. Gjatë gjithë verës, kryeministri Edi Rama i nxiti shqiptarët, sidomos ata që ishin me pushime në bregdet, që të denonconin biznese në informalitet, padrejtësi në një shërbim restoranti, hoteli, bari, lokali nate apo ata që nuk lëshonin kuponin tatimor.

Klientë të indinjuar me shërbimin apo edhe konkurrentë mbushën “Facebook”-un e kryeministrit, celularin e tij, edhe të ministrave. “Spiunllëku modern” u inkurajua edhe në sektorë të tjerë. Madje, këtë të martë iu bë thirrje studentëve që të denoncojnë çdo rast korrupsioni në universitete duke iu premtuar se për çdo “demaskim” online do të ketë zerim të tarifave, deri dhe në shpërblim me bursë 1-vjeçare.

Apeli i Ramës që studentët të denoncojnë çdo rast korrupsioni në Universitete

Por, piramida vijon. Ministri për Punët e Jashtme dhe Europën, Gent Cakaj, ashtu si shefi i tij kërkoi që të denoncohet çdo abuzim, problem, apo papërgjegjësi që shfaqet në komunikimin me përfaqësitë e Shqipërisë nëpër botë, ambasada apo konsullata.

Ministri Gent Cakaj që bën thirrje për denoncime

Madje, Cakaj shkon edhe më tej kur shpjegon me detaje, hap pas hapi të gjithë procedurën që çdo qytetar do të ndjekë në aplikacion.
Dhe kështu “oferta” për denoncim vijon nga çdo zyrtar dhe në çdo sektor; shëndetësi, ekonomi, pushtet vendor… Qytetarët madje po zgjidhin hallet e tyre disavjeçare duke i shkruar kryeministrit për probleme me pronën, komshiun, zhurmën e lokalit, zaptimin e hapësirës publike, padrejtësinë në emërimin për një vend pune apo të drejtën e studimit. Pra, me dirigjim nga maja dhe deri poshtë qeveria u kthye si një emision investigativ, “Fiks Fare” apo “Stop”. ERTV duket se po plotëson programacionin, pasi përveç intervistave dhe buletineve javore të lajmeve të kryeministrit dhe qeverisë, po nxjerr ministra dhe zyrtarë Live pas denoncimeve të qytetarëve.

Qytetarë që zgjidhin problemet online

Por, ky denoncim masiv që inkurajohet nga ekzekutivi tregon se sa e rëndë është situata me strukturat e shtetit që duhet t’i japin zgjidhje gjithë kësaj problematike. Kjo tregon se çdo strukturë është e kalbëzuar dhe ata që e kanë për detyrë të parandalojnë, denoncojnë korrupsionin, ryshfetin apo padrejtësinë, si edhe ta ndëshkojnë, por edhe të mbrojnë qytetarin, pronën publike apo institucionin, kanë dështuar në këtë mision. Qeveria të thotë se nëse do të zgjidhësh një hall apo problem, për të cilin pengesë të është bërë pushteti, politika, prokuroria, gjykata apo policia ke vetëm një rrugë për ta zgjidhur sot në 2019-ën; spiuno, denonco, raporto. Dhe gjyqin ta bën online jo vetëm komshiu, kolegu i punës, apo konkurrenti në biznes, por edhe qeveria dhe ku të gjithë janë bërë pis në një shtet paralel që funksionon online.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë