Media Galeri

Spitali i Bangladeshit shpallet ndërtesa e re më e mirë në botë

Spitali Aremote në Bangladesh është shpallur ndërtesa e re më e mirë në botë. Spitali në Satkhira, një vend i prekur shpesh nga ciklonet në jug të vendit, u shpall fitues i çmimit prestigjioz ndërkombëtar RIBA të vitit 2021, me arkitektët e tij të vlerësuar për vendosjen e “kujdesit dhe humanizmit në qendër të dizajnit të tij”.

I ndërtuar nga tulla të prodhuara në vend, spitali me 80 shtretër është i ndërtuar rreth disa oborreve të mbuluara me vendkalime të qeta dhe me hije. Një kanal kalon në qendër të zonës për të ndarë krahët e pacientëve të shtruar me të tjerët.

Instituti Mbretëror i Arkitektëve Britanikë (RIBA), i cili organizon konkursin, vlerësoi dizajnin e spitalit për përzierjen me fshatin përreth dhe krijimin e një “përvoje tërheqëse për vizitorët, pacientët dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor”.

I projektuar nga arkitekti Kashef Chowdhury dhe firma e tij në Dhaka, Urbana, spitali u porosit nga OJQ-ja e zhvillimit të qëndrueshëm, Friendship. Chowdhury e përshkroi vendimin e jurisë për të nderuar një projekt nga “periferia globale” si një “moment jashtëzakonisht të rëndësishëm”.

“Besoj që kjo mund të frymëzojë më shumë prej nesh që të angazhohemi, për shkak të kufizimeve të burimeve dhe mjeteve, ndaj një arkitekture kujdesi si për njerëzimin ashtu edhe për natyrën, për t’u ngritur kolektivisht ndaj urgjencave me të cilat përballemi sot në të gjithë botën”, tha ai në një deklaratë për shtyp.

I mbajtur çdo dy vjet, konkursi nderon ndërtesat ose strukturat që “dëshmojnë përsosmëri të projektimit dhe ndikim social”. Në një njoftim për shtyp duke shpallur fituesin, RIBA vuri në dukje se Spitali i Miqësisë u ndërtua në një “mjedis të brishtë dhe dinamik”, ku fushat e drithit janë shndërruar në ferma karkalecash për shkak të rritjes së nivelit të detit.

Si i tillë, spitali përfshin disa karakteristika të qëndrueshme të projektimit. Mënyra se si janë rregulluar oborret inkurajon ajrosjen natyrale dhe eliminon nevojën për ajër të kondicionuar. Arkitektët krijuan gjithashtu një sistem kullimi që kanalizon ujin e shiut nga rrethi i kompleksit në një rezervuar depozitimi për përdorim në të ardhmen.

Juria përbëhej nga ekspertë nga Europa, SHBA, Azia dhe Amerika e Jugut dhe kryesohej nga arkitekti dhe planifikuesi urban francez Odile Decq. Në një deklaratë për shtyp, Decq tha se spitali “është i rëndësishëm për sfidat kritike globale, të tilla si aksesi i pabarabartë në kujdesin shëndetësor dhe ndikimi dërrmues i prishjes klimatike në komunitetet e cenueshme”.

“Është një demonstrim se sa arkitekturë e bukur mund të arrihet përmes dizajnit të mirë kur punoni me një buxhet relativisht modest dhe me kufizime të vështira”, shtoi Decq.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë