Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në një dalje për mediat ka deklaruar se studentët po hasin në kakofoni të ndryshme, pasi nuk marrin informacionin e duhur në sekretaritë mësimore.
Në fjalën e saj, ministrja Spiropali theksoi se ka edhe vonesa në plotësimin e dokumenteve për studentët që trajtohen me ndihmë ekonomike.
“Duke i ndjekur me shumë vëmendje shqetësimet e ngritura nga studentët, na rezulton se ka një kakofoni në lidhje me informacionin që marrin nëpër fakultete dhe ka një zvarritje të panevojshme nga sekretariatet. Nuk është plotësuar dokumentacioni për studentët në ndihmë ekonomike, të cilët do të përfitojnë pagesën e plotë të tarifës si dhe bursë 100 mijë lekë të vjetra.
Ka një kakofoni në lidhje me bashkitë, në shumë raste sekretaritë e universiteteve nuk i orientojnë saktë studentët për procedurat, por i drejtojnë drejt bashkive, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me këtë proces”, u shpreh Spiropali.
Gjithashtu, ministrja i bëri thirrje rektorit të garantojë për studentët të drejtën për mësim dhe marrjen e informacionit të plotë në kohë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




