Lajme

Spiropali: Ndalimi i bixhozit, shqiptarët kanë kursyer 50 mln $

Në konferencën javore, zëdhënsja e qeverisë Elisa Spiropali ka bërë një tablo të përfitimit nga mbyllja e basteve sportive dhe kazinove.

Për Qeverinë, ligji po funksionon dhe ka dhënë efektete e para.
Të dhënat zyrtare për muajin janar 2018 tregojnë se në bastet sportive dhe kazinotë elektronike janë shpenzuar 1,3 mld lekë.

Nëse do të shtonim projeksionin e biznesit të bixhozit në të zezë, tha Spiropali, jemi edhe 35 mln dollarë shtesë. Rezulton që në muajin janar 2019, sipas zëdhënëses së qeverisë, se për shkak të ndalimit të bixhozit të jenë kursyer afro 50 mln dollarë nga shtëpitë e shqiptarëve.

Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Autoritetit të Mbiikqyrjes së Lojërave të Fatit, tregojnë se janë mbyllur 4364 adresa ku zhvillohej veprimtari bixhozi, ndërsa në dhjetor – janar rezultojnë të regjistruara 2688 biznese të reja të vogla, ku një pjesë e konsiderueshme sipas Spiropalit janë të krijuara në mjediset e basteve dhe kazinove.

“Jemi krenarë që me vendosmëri ndërhymë në këtë aktivitet të vesit, në këtë gosti që ushqehej kryesisht me të varfrit dhe të pamundurit në lagjet tona. Krijimi i bizneseve të reja në ish mjediset e bixhozit është dëshmia më e qartë se si ky ligj po rezulton në favor të shëndoshjes së ekonomisë dhe çlirimit të familjeve shqiptare nga një barrë e rëndë ekonomike, sociale dhe psikologjike”- u shpreh Zpiropali gjatë konferencës për shtyp, ndërsa shtoi se nismat e qeverisë pro biznes kanë dhënë rezultat duke sjellë më shumë formalizim, më shumë punësim gjatë këtij viti.

“Nga kjo politikë përfitojnë jo pak, por 11450 subjekte. Ashtu siç dëshmuam me paketën fiskale, jemi të vendosur të thellojmë politikat që shkojnë në favor të biznesit, të vogël, të mesëm dhe të ndershëm që gjenerojnë ekonomi dhe punësim për pjesën më të madhe të shqiptarëve”.

Në përgjigjje të pyetjes së gazetarëve se çfarë do të bëhet me personat e papunë që rezultojnë nga mbyllja e këtyre aktiviteteve, Spiropali tha se qeveria ka një projekt të posatshëm për ripunësimin, ritrjanimin dhe rikualifikimin e tyre duke sqaruar se ato mjedise tanimë janë kthyer në biznese që punësojnë njerëz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë