Lajme

PS merr në mbrojtje Murrizin: Provë e tragjikomedisë së PD

Myslym Murrizi u përjashtua nga Partia Demokratike pas mosbindjes ndaj vendimit të kryetarit Lulzim Basha dhe forumeve të partisë për të dorëzuar mandatin e deputetit. Por, akti i tij është përshëndetur nga mazhoranca tërthorazi.

“Dje, kolegu Myslym Murrizi e përmblodhi në një fjali të gjithë thelbin e logoresë së ish-kolegëve opozitarë: U nisën të rrëzojnë Ramën dhe më rrëzuan mua! Zjarrit të deputetëve të djegur i shpëtoi një deputet i vetëm, të cilin deri dje e njihnin zgjedhësit e tij në Lushnjë dhe kontributorët e Partisë Demokratike, ndërsa sot është në sytë e tërë shqiptarëve mishërimi më kuptimplotë i të vërtetës së kësaj tragjikomedie politike. E cila luhet në emër të popullit, po është vënë në skenë nga ata që këtij populli i kanë bërë qindin kur kanë pasur pushtetin dhe i kanë dendur me baltë sytë e veshët, kur e kanë humbur atë” deklaron ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Deputetja socialiste e cilëson tragjikomedi situatën e opozitës dhe një teatër të madh dëshpërimi nga pafuqia për të fituar në zgjedhjet e radhës, por jo vetëm kaq.

“Dhe frikë nga pjella e mallkuar e reformës në drejtësi, prokuroria speciale antikorrupsion, e cila pasi u del ne ëndërr qyshse u detyruan të votojnë reformën, u është bërë hije tani që i erdhi ora të lindë prej vërteti”, deklaron Spiropali.

Me këtë akt, ajo thotë se u dogj Partia Demokratike. Lulzim Bashën e përmend në emër si autor të kësaj djegieje, por bashkëautor nënkupton edhe Sali Berishën.

“Lulzim Basha s’kishte më asnjë mundësi të justifikonte atë të zgjedhjeve që vijnë. Kjo bashkë me plakun vizëhequr, që jep shpirt po nga zakoni i vjetër i zjarrvënësit dorë nuk heq, u bënë shkopi dhe baruti i shkrepses që dogji partinë qe solli parlamentarizmin ne Shqipëri”, thuhet më tej në reagimin e Spiropalit.

Vendimin e opozitës Spiropali e quan të dëmshëm për demokracinë, por si sheh edhe një anë pozitive.

“Jo vetem s’është fundi i botës, po mund të jetë mundësia e madhe e pastrimit të politikës nga kasta e një partie që lindi si alternativa demokratike e Shqipërisë dhe sot vjen vërdallë si fantazma e rrëmujës dhe shkatërrimit të Shqipërisë”, deklaron ajo.

Deputetja e PS thotë se Basha tradhtoi votuesit e PD-së dhe hodhi në humnerë partinë vetëm si justifikim të humbjes së radhës në zgjedhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë