Shendet

Specifikat e vaksinimit në Shqipëri: Doza e tretë me atë vaksinë që keni filluar, vetëm në rastet kur…

Që prej dy javësh në vendin tonë ka nisur aplikimi i dozës së tretë, si një nxitje për të rritur imunitetin tek personat me probleme imunitare dhe ata që kanë kaluar gjashtë muaj nga aplikimi i dozës së dytë të vaksinës. Sipas të dhënave nga autoritetet shëndetësore, deri më tani e kanë marrë dozën e tretë rreth 18.000 persona.

Por cilat janë specifikat e vaksinimit me dozën e tretë?
Dritan Ulqinaku shpjegon për Gazetasi.al se në protokollin e vaksinimit thuhet se mënyrë të qartë që rekomandohet të vazhdohet vaksinimi (doza e tretë) me atë vaksinë që ka filluar, pra me të njëjtën dozë por mund të ndryshohet vetëm për raste të veçanta (vaksina mungon ose ka pasur komplikacione) dhe me rekomandimin e mjekut të familjes mund të ndërrohet me një vaksinë tjetër.

Dritan Ulqinaku

Sipas burimeve nga Instituti i Shëndetit Publik te personat të cilëve u është dashur detyrimisht të ndërrojnë vaksinë, në përgjithësi doza e tretë ka qenë Pfizer.
Mjeku shqiptar në Shërbimin Kombëtar në Londër, Laidon Shapo i shpjegoi Gazetasi.al se kombinimi i dy vaksinave të ndryshme për COVID-19 është parë nga disa studime të sigurojë mbrojtje të barabartë me atë të vaksinave mRNA – duke përfshirë mbrojtjen kundër variantit Delta.
“Personat që marrin dy vaksina të ndryshme për COVID-19 gjenerojnë përgjigje të fuqishme imune, me efekte anësore minimale apo të moderuara (ose aspak më të këqija se ato të shkaktuara nga regjimet standarde)”, shtoi Shapo.
Ai shpjegon se individët pa probleme mund të vijojnë me të njëjtën dozë vaksine ose mund të marrin një vaksinë Pfizer/Moderna si dozë të tretë.
“Pfizer mund të merret nga ata që kanë bërë Astra Zeneca ose vaksina të tjera,” shprehet Shapo.

Laidon Shapo

Sipas tij, studiuesit kanë treguar se regjime të tilla, pra 'përzierje dhe përputhje' janë shumë efektive në parandalimin e COVID-19, përafërsisht përputhen apo edhe tejkalojnë performancën e vaksinave të mRNA.
Më herët mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka shpjeguar për Gazetasi.al se nëse personi që ka bërë Coronavac edhe e ka kaluar më përpara sëmundjen nuk ka nevojë për dozën e tretë. Kurse personat që nuk e kanë kaluar Covid-19 dhe kanë marrë dy doza Coronavac atëherë mund të mendohet për t’u futur në vaksinim dhe të marri dozë të tretë Pfizer ose Astra Zeneca.
Ndërkaq ka kombinime vaksinash që nuk mund të realizohen. Shefja e Shërbimit Epidemiologjik në ISHP, Silva Bino ka thënë më herët se nuk mund të bëhet kombinimi i vaksinave mes AstraZeneca dhe Sputnik V, për të cilin janë kryer shumë studime por nuk ka të dhëna të sakta ende.
Doza e tretë në vendin tonë ka nisur fillimisht për personat mbi 70 vjeç por fasha moshore do të vijë duke u ulur. Deri më tani në vendin tonë janë vaksinuar me dy doza vaksine rreth 47% e popullatës target.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë