Nga Gazeta ‘Si’-Mëngjesin e sotëm Gjykata Speciale ka nisur bastisjet në shtëpinë e ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami.
Kjo është konfirmuar edhe nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, por që nuk ka dhënë ndonjë detaj shtesë.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë. Operacionet e ZPS-së po mbështeten nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në përgjigjen e ZPS-së.
Një ditë më parë Specialja ka bastisur edhe banesat e dy ish-këshilltarëve të tjerë të Thaçit, Blerim Shalës dhe Bashkim Smakajt.
Behrami të hënën reagoi ndaj bastisjeve, duke thënë se” Gjykata Speciale është fashiste, sepse përndjek, arreston dhe dënon vetëm shqiptarët”.
“Bastisja e shtëpive të kolegëve, Blerimit dhe Bashkimit, është skandaloze dhe e paprecedent. Blerim Shala ka qenë pengesë vetëm për regjimin e Millosheviçit dhe ky regjim e kishte arrestuar atë disa herë.
Për katër dekada, Shala ka qenë njëra ndër figurat intelektuale që ka dhënë një kontribut të pashlyeshëm në rrugën për liri, pavarësi dhe shtetndërtim. Ndërsa, Bashkim Smakaj është ndër njerëzit më profesionist që njoh në fushën e sigurisë, njeri që ka ndërtuar shumë institucione të sigurisë në Kosovë nga themelet”, tha Behrami.
Një bastisje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ndodhur të hënën në mëngjes në banesën e Blerim Shalës, ish-këshilltar politik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për krime të pretenduara lufte në Hagë të Holandës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



