Bota

Spanjë, 222 viktima nga përmbytjet. ‘Dana’ godet Barcelonën, në 4 orë ra shi sa për 3 muaj

Gazeta Si – Gjashtë ditë pas përmbytjeve që goditën Spanjën dhe në veçanti rajonin e Valencias, qeveria ende nuk ka dhënë një numër të personave të zhdukur.

“Ne nuk mund të japim një numër vërtet të besueshëm,” tha ministri i Brendshëm Fernando Grande Marlaska, i cili konfirmoi se numri i përkohshëm është 222 viktima.

Ndërkohë, një alarm i kuq është ndezur në brigjet e Barcelonës, me 17 fluturime avionësh të devijuara nga autoritetet për shkak të motit të keq.

Për shkak të ndikimit të një fenomenit “Dana”, i cili lëviz në veri të Levantes, u lëshua një alarm i ri i kuq nga Mbrojtja Civile me mesazhe es-Alert për shirat e rrëmbyeshëm, që goditën provincën e Castellon, Katalonjë dhe provincën e Barcelonës.

“Është një e katërta e shiut që bie gjatë gjithë vitit në vetëm katër orë”, thekson Rubén del Campo, zëdhënës i “Aemet”, Agjencisë Kombëtare të Motit.

Lidhjet hekurudhore rajonale u ndërprenë dhe të paktën 17 fluturime u devijuan nga aeroporti El Prat i Barcelonës, ku shirat e dendur përmbytën një pjesë të pistës së aeroportit.

Trafiku i makinave në autostradën AP7 pranë Tarragona u ndërpre gjithashtu. Alarmi nga agjencia shtetërore e meteorologjisë ka të bëjë me të gjithë bregdetin e Barcelonës dhe parashikon reshje të grumbulluara në 12 orë prej 180 litra për metër katror, ​​të cilat do të prekin kryesisht zonën e Baix Llobregat.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Aldaia në Valencia, Gullermo Lujan, tha: “Në parkingun e qendrës tregtare Bonaire u identifikuan 20 automjete dhe pa u konstatuar prania e viktimave”. Alarmi i kuq është ndezur për bregdetin e provincës së Barcelonës.

Sipas ministrit të Brendshëm, në fakt janë të shumta rastet që familjarët nuk kanë mundur të kontaktojnë me të dashurit e tyre dhe siguroi se “policia dhe garda civile po hetojnë të gjitha raportimet për persona të zhdukur”.

Nga 222viktimat, 214 janë regjistruar në provincën e Valencias, ndërsa të tjerat në Castilla La Mancha dhe një në Andaluzi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë