Bota

Spanja, Irlanda dhe Norvegjia do të njohin shtetin e Palestinës

Nga Gazeta 'Si'-Spanja, Irlanda dhe Norvegjia kanë deklaruar se do të njohin formalisht shtetin e Palestinës. Tre vendet deklaruan se vendimin për ta njohur Palestinën e morën me synimin që të “krijojnë një momentum në përpjekjet për të siguruar paqen afatgjatë në rajon."

Vendimi i tre shteteve euopiane vjen shtatë muaj nga nisja e luftës në Gaza. 

Ky akt simbolik dhe i koordinuar i tre shteteve u njoftua të mërkurën në mëngjes pas muajsh negociatash mes një grup shtetesh europiane që ishin të gatshëm ta merrnin këtë hap.

Duke folur para Dhomës së Përfaqësuesve spanjollë të mërkurën në mëngjes, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, i cili ishte zotuar të njihte Palestinën deri në qershor, njoftoi se Spanja do ta njohë shtetin e Palestinës të martën e ardhshme, më 28 maj.

Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, tha se “nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme, nëse nuk ka njohje”.

Gahr Store tregoi se shteti skandinav do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez nga 28 maji.

“Duke e njohur Palestinën si shtet, Norvegjia e mbështet planin për paqe”, tha ai.

Disa vende të Bashkimit Evropian kanë lënë të kuptohet në javët e fundit se e kanë ndër mend ta njohin Palestinën, duke argumentuar se zgjidhja me dy shtete është thelbësore për paqe afatgjate në rajon.

Norvegjia, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian por ndjek politikat e saj, ka qenë mbështetëse e zjarrtë e zgjidhjes me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve.

“Terrori është kryer nga Hamasi dhe nga grupet militante, të cilat nuk janë përkrahëse të zgjidhjes me dy shtete, dhe nga shteti i Izraelit”, tha lideri i Qeverisë norvegjeze.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë