Drejtësia

SPAK vë nën hetim qendrat shqiptare ‘call center’ me kërkesë të Gjermanisë dhe Holandës

Me dyshimin se kanë mashtruar qytetarët e Bashkimit Europian me shuma të mëdha monetare, SPAK ka vënë nën hetim 13 kompani “call center”-ash me qendër në Tiranë.

Hetimi ka nisur me kërkesë të Holandës dhe Gjermanisë mbi dyshimet për mashtrim në kuadër të organizatës kriminale mbi tregtinë elektronike.

Punonjës të “call center”-ave që njihen si “call center bursash”, telefononin nga zyrat e tyre qytetarët e BE-së, duke iu premtuar se nëse investonin shuma të mëdha në bursë apo në kriptomonedha, do të siguronin fitime të mëdha.

Mashtrimi zgjaste për disa javë apo muaj, pasi fillimisht të dëmtuarit i merrej një shumë e vogël parash dhe më pas nën premtimin për fitime të mëdha, bindej që të investonte edhe më tepër.

Në fund, telefonuesi zhdukej, duke i marrë të gjitha paratë investitorit nga BE, të cilat kalonin në numrin e llogarisë së kompanisë së “call center”-ave, nga të cilat operatori shqiptar dyshohet se fitonte një përqindje të madhe monetare.

Në këtë sistem të padepërtueshëm, dyshohet se ndodhen shoqëri, që kanë ndikim mbi operatorët nëpërmjet platformës tregtare dhe që mbledhin paratë.

Në disa raste, personat që qëndrojnë pas mashtrimit, i bënin vetë transfertat nëpërmjet programit “Anydesk”, pasi merrnin leje nga qytetarët që investonin.

Autoritetet shqiptare, kanë detyrën të gjejnë vendndodhjen e këtyre “call center”-ave nëpërmjet adresës IP së internetit.

Prokuroria pritet të marrë në pyetje punonjës në tre kompani interneti për të siguruar të dhënat që kërkojnë autoritetet gjermane dhe holandeze.

SPAK, i cili ka vënë në shënjestër 13 prej tyre, është duke kërkuar informacione për të ardhurat dhe aktivitetin që ushtrojnë këto kompani në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë