Gazeta Si – Me urdhër të SPAK, policia ka ushtruar këtë të premte kontrolle në banesat e motrave Xhovana dhe Alda Nikolli, të dyshuara si të përfshira në dosjen e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
Sipas të njëjtave burime, është urdhëruar edhe kontrolli i automjetit dhe celularëve të dy motrave, të cilat u bënë të njohura për opinionin publik për shkak të ngjarjes së ndodhur në korrik të vitit të kaluar në Elbasan, kur në apartamentin e marrë me qira prej tyre, shpërtheu një sasi tritoli.
Si pasojë e shpërthimit, humbi jetën fqinji i tyre, 26-vjeçari Enea Thomollari, i cili ndodhej në brendësi të banesës së tij përballë me apartamentin e motrave Nikolli. Ai qëndroi për rreth 3 muaj në koma në Spitalin e Traumës dhe më pas ndërroi jetë si pasojë e plagëve të shumta të marra.

Pas kësaj ngjarjeje, motrat Nikolli akuzuan vrasësin me pagesë Nuredin Dumani, si urdhërues të vendosjes së tritolit, duke pretenduar se ky i fundit kishte folur nga burgu me njërën prej tyre, konkretisht Alda Nikollin, e cila pretendoi se kishte krijuar një “lidhje virtuale” me të.
Hetimet kanë zbuluar se shpërthimi me tritol në lagjen “Haxhias”, ka pasur si shënjestër dy motrat. Në momentin e shpërthimit ato kanë qenë në banesë, por nuk pësuan dëmtime.
Xhovana Nikolli është bashkëjetuesja e Amarildo Nikolli (Xhanej) nga Shkodra, të arrestuar në gusht 2023 në Vlorë. Ai u kap me armë me silenciator, pas dyshimeve se do të kryente vrasje në qytetin bregdetar.
Si bashkëpunëtor i drejtësis, Xhanej u dënua nga Gjykata e Posaçme me 2 vite e 9 muaj për veprën penale “armëmbajtje pa leje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Një nga pistat ku po hetohet, janë edhe konfliktet e mundshme të vetë Xhovana Nikollit, e cila krahas lidhjes me të akuzuarin për vrasje, është bërë e njohur përmes videove të publikuara në rrjete sociale. Ndër to, ishte edhe një mesazh ndaj Nuredin Dumanit, një tjetër të penduari të drejtësisë. Këto pretendime bënë që dosja hetimore e kësaj çështje të kalojë në SPAK.
Sipas motrave Nikolli, Amarildo Nikolli ndodhet në konflikt me Dumanin, duke pretenduar se ky i fundit i ka vendosur gjobë 500 mijë eurosh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.