SPAK ka dhënë sot më shumë detaje lidhur me sekuestrimin e pasurive të Giovanni Di Cosimo, një shtetas italian i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet italiane të drejtësisë, tashmë i arrestuar.
Hetimi është zhvilluar mes SPAK dhe Antimafias italiane, ku është vendosur sekuestrimi në pasuritë e një shtetasi italian i moshës 44 vjeç, i cili është kapur një vit më parë në qytetin e Durrësit dhe konsiderohet si kreu i një klani mafioz.
Gjithashtu ka rezultuar se shtetasi shqiptar, Bledar Seferi (alias Hakorja), ka pasur lidhje me shtetasin Giovanni Di Cosimo dhe pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal në Itali e Shqipëri dhe është i përfshirë në aktivitet kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Në përfundim të hetimeve pasurore janë konstatuar pasuri të pajustifikuara, për të cilat është kërkuar sekuestrimi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur sekuestrimin e pasurive të mëposhtme:
Një fabrikë për prodhimin e lëndëve plastike në Shijak, Durrës. Asetet, aksionet/kuotat dhe pasuritë e subjektit “REY PLASTICA” sh.p.k. me NIPT L71325502Q, me status aktiv.
Pasuria e llojit Arë+Truall me sipërfaqe 5954 m², nga kjo sipërfaqe ndërtesë 3070 m², ndodhur në Durrës. Në këtë pasuri ushtron aktivitetin subjekti “REY PLASTICA” sh.p.k.
Pasuria e llojit ullishtë me sipërfaqe 6550 m², ndodhur në Tiranë.
Automjetet e markës “Fiat”, modeli 500, viti prodhimit 2008 dhe markës “Land Rover”, modeli RANGE ROVER, viti prodhimit 2014;
Automjet i markës “AUDI”, modeli A2, viti prodhimit 2001;
Automjet i markës “Fiat”, modeli 500L, viti prodhimit 2014;
Automjet i markës “Mercedes Benz”, modeli B180 CDI, viti prodhimit 2012;
Llogari bankare në shumën 3.103.244 lek.
Llogari bankare në shumën 21.022 euro.
Vendimi i gjykatës është ekzekutuar më 11 shkurt 2020 nga policia gjyqësore dhe pasuritë e sekuestruara janë marrë në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, deri në përfundimin e procesit gjyqësor për konfiskimin e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




