Drejtësia

SPAK sekuestron inceneratorin e Tiranës: Zoto dhe Mërtiri përfituan më shumë se 409 mln lekë me fatura false

Gazeta Si - Më shumë se 409 milionë lekë kanë përfituar në mënyrë të paligjshme nga landfilli i Tiranës Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, ndaj dhe SPAK ka vendosur sekuestron e kompanive të tyre.

Në dosjen e publikuar për mediat, thuhet se shuma është marrë përmes faturave fiktive, por punimet në terren nuk janë kryer.

Në skemë është përfshirë dhe një tjetër kompani, përmes së cilës dy të shpallurit në kërkim ndërkombëtar kanë blerë një truall me vlerë 1 milion euro.

Ka qenë Zoto, i cili ka paraqitur faturën për punime si nënkotraktor me kompaninë e tij “Integrated Energy Services”.

Por dyshimet janë se punimet nuk janë kryer dhe gjithçka ishte sajesë me qëllim marrjen e këtyre parave. Por një tjetër element e lidh dosjen e kryeqytetit dhe me ish administratorin e Fierit Arenc Myrtezani.

Në deklaratë thuhet Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” duke shfrytëzuar përfitimet e paligjshme, ata kanë blerë për llogari të këtij subjekti, një pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe 611 m2, me vlerë 1 000 000 Euro, e ndodhur në qytetin e Durrësit.

Në njoftimin për mediat, Prokuroria e Posaçme, thekson se administratorët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy”, me kosto të investimit të parashikuar në kontratën koncesionare në vlerën mbi 128 milionë euro.

SPAK bën me dije se është duke hetuar në kuadër të procedimit penal për veprat penale të “Mashtrim me pasoja të rënda”  në bashkëpunim, “Shpërdorim i  detyrës”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

Gjithashtu, dy biznesmenët të shpallur prej një viti në kërkim ndërkombëtar në lidhje me inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Holandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.

Dyshohet që Zoto dhe Mërtiri, kanë përdorur persona të tjerë për të mbuluar gjurmët e tyre si pronarët e vërtetë.

“Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se shtetasi Klodian Zoto, në bashkëpunim me shtetasin Mirel Mërtiri, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 (katërqind e nëntë milion e katërqind e njëzet e tetë mijë) lekë, ku shtetasi Klodian Zoto është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Energy Services” sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k. Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri”, - thuhet në njoftim.

Nga provat e marra gjatë hetimit, del se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k..

Në prill të këtij viti, Interpol Tirana i tha Gjykatës së Posaçme se kishte lokalizuar biznesmenët e inceneratorëve, Mirel Mërtirin dhe Stela Gugalljen në Austri.

Në përgjigje të kërkesës për informacion të bërë disa ditë më parë nga ana e gjykatës, Interpoli informoi gjithashtu, se sa i takon biznesmenit tjetër Klodian Zoto, ende nuk ka rënë në gjurmët e tij.

Për Mërtirin dhe Gugallen është dorëzuar edhe një kërkesë për ekstradim. Pavarësisht kësaj Gjykata e Posaçme vendosi të vijojë gjykimin në mungesë të tyre duke u shprehur se kanë marrë dijeni dhe po i shmangen drejtësisë.

Tre biznesnenët janë në akuzë për korrupsion dhe pastrim parash në bashkëpunim, në dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Përmes avokatëve të tyre, ata i kanë cilësuar hetimet si të montuara dhe me qasje politike.

Në akuzë për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash, janë edhe 7 ish-zyrtarë, mes të cilëve ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë