Rend dhe Ligj

Zbardhet vrasja e Edmir Bregut, u porosit nga Astrit Avdylaj, e ndihmoi vëllai i deputetit të PS. Goditet dhe ‘Rrumi i Shijakut’

Gazeta Si – Katër persona janë arrestuar pas një operacioni të organizuar nga SPAK, BKH dhe policia, ku është goditur një grup i strukturuar kriminal në zonën e Gjirit të Lalëzit në Durrës, i përfshirë në vrasje me pagesë dhe përvetësim të pronës shtetërore përmes falsifikimit.

Hetimi i kryer në bashkëpunim me Europol dhe Eurojust, ka zbuluar se vrasja e Edmir Bregu alias Ilir Kuçi, ngjarje e ndodhur në Durrës në janar 2021, u ekzekutua për hakmarrje.

Organizator dhe porositës dyshohet të ketë qenë Astrit Avdylaj, i ndihmuar nga Enea Kume, vëllai i deputetit të PS, Loer Kume. Sipas SPAK, vrasja u krye në shenjë hakmarrjeje për tentativën për të vrarë nipin e tij, Aldo Avdylaj.

Nëntë masa sigurie janë lëshuar nga GJKKO me kërkesë të SPAK, prej të cilave janë ekzekutuar 5, ndërsa 4 persona të tjerë janë në kërkim.

Loer Kume

Të arrestuarit janë Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos (“Rumi i Shijakut”), Enea Kume, vëllai i deputetit të PS, Loer Kume, Vlash Brahja dhe Astrit Avdylaj alias Astrit Balliu, i cili ndodhet në burg në kuadër të operacionit “Revanshi”. Ndërsa për Edlira Avdylajn është vendosur ndalim i daljes jashtë vendit, masë që është ekzekutuar.

Ndërsa në kërkim janë 4 persona; Elidon Avdylaj alias Aldo Avdylaj, Aleksandër Laho, E.D. ,dhe A.D. Organizata kriminale është akuzuar për dy episode të ndryshme, për një vrasje me pagesë dhe për tjetërsim pronash në Gjirin e Lalzit përmes falsifikimeve.

Në kuadër të hetimit, janë sekuestruar 11 pasurive me sipërfaqe totale 254.300 m², në zonën bregdetare të fshatit Shetaj, Durrës.

“Gjithashtu si drejtues dhe koordinator i grupit të strukturuar kriminal, dyshohet të jetë shtetasi, Aldo Avdylaj, si ndihmës dyshohet të jetë shtetasi Enea Kume, ndërsa si ekzekutor dyshohet të jenë shtetasit, E.D dhe A.D. Në lidhje me këtë fakt po hetohet për identifikimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale”,- thuhet në njoftimin e SPAK

Astrit Avdylaj (majtas), Enea Kume (vëllai i deputetit të PS, Loer Kume) dhe Aleksandër Laho (Rrumi i Shijakut)

Organizata kriminale drejtohej nga Aleksandër Laho, i njohur edhe si Rumi i Shijakut, i cili është në kërkim. Konkretisht ata akuzohen për vrasjen për hakmarrje të Edmir (Jetmir) Bregu, alias Ilir Koçi, ngjarje e ndodhur më datë 21.1.2021, në qytetin e Durrësit.

Edmir Bregu alias Ilir Kuçi 32 vjeç ishte me origjinë nga Kukësi dhe jetonte në zonën e ish-Kënetës në Durrës.

Pasditen e 23 janarit 2023, ai po qarkullonte me makinën e tij tip “Porsche Cayene” në lagjen nr.16 të Durrësit. 32-vjeçari u ekzekutua me dy plumba, një në kokë dhe një në gjoks sapo zbriti nga makina e tij.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, hetimet kanë nisur në qershor të vitit 2023 dhe kanë zbuluar një skemë kriminale komplekse që përfshinte “vrasje me paramendim për hakmarrje”, “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”, “falsifikim dokumentesh”, si dhe “korrupsion aktiv ndaj funksionarëve publikë”.

Astrit Avdylaj

“Personat e përfshirë kanë siguruar infrastrukturën për kryerjen e vrasjes, përfshirë automjete me qira, armë zjarri, banesa dhe mbikëqyrje të vazhdueshme të viktimës”, thuhet në njoftim.

Dyshohet se Rrumi i Shijakut për të cilin u kryen sot kontrolle në Durrës, kishte ngritur një grup kriminal që kishte si synim falsifikimin e dokumenteve.

Pjesëtarë të këtij grupi rezultojnë të jenë vëllai i tij Vullnet Muça, A.B, V.B dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar. Në kuadër të këtij operacioni, SPAK ka sekuestruar 11 prona me sipërfaqe 250 mijë metër katrorë.

Masë sigurie ka edhe për “Rrumin e Shijakut”, në shtëpinë e të cilit janë ushtruar kontrolle, por nuk është gjeur në banesë.

Mësohet se kontrolle janë kryer edhe në Sukth e Shijak për kapjen e Aleksandër Lahos, të njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”, i shpallur në kërkim nga SPAK në 2022-in për pengmarrjen e vëllezërve Beqiraj, të cilët rezultonin të përfshirë në një sërë ngjarjes kriminale.

Mes të arrestuarve, është edhe Enea Kume, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Loer Kume. Ky i fundit me profesion dentist, u zgjodh deputet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Aleksandë Laho “Rrumi i Shijakut”

Policia ka arrestuar Vullnet Muçën, vëllain e Rrumit të Shijakut. Pak ditë më parë, Muça u procedua penalisht pasi kishte kanosur drejtorin e spitalit të Durrësit, Renis Mullain, sepse ky i fundit nuk i kishte futur në punë mbesën.

Ndërkohë, Aleksandër Laho njihet edhe për faktin se në vitin 2019 ka qenë në një makinë me ish-prokurorin Arjan Ndoj në Shkozet të Durrësit, ku ranë pre e një atentati me armë zjarri, nga ku humbi jetën Andi Maloku.

Për këtë ngjarje, të pandehur janë marrë Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe të cilët pasi u ekstraduan nga Dubai, po gjykohen në vendin tonë.

Po ashtu, Aleksandër Laho është i dënuar në mungesë me 10 muaj burg nga GJKKO për akuzën e korrupsionit.

Ai u akuzua nga SPAK se i kishte dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, 600 mijë lekë dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë