Ngjarje

SPAK merr zyrtarisht të pandehur Adriatik Llallën, akuzohet për fshehje pasurie

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet paraprake në ngarkim të ish-kryeprokurorit Adriatik Llala, i cili është marrë i pandehur për një akuzë të vetme, nga katër akuza që të mundshme që shqyrtoi fillimisht Prokuroria për Krimet e Rënda dhe më pas SPAK.

Adriatik Llalla akuzohet vetëm për “refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja, ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Ish-kryeprokurori akuzohet nga SPAK se këtë vepër penale e ka konsumuar në të paktën tre raste. Në njoftimin e shkurtër për marrjen të pandehur të tij, Prokuroria e Posaçme nuk e saktëson periudhën kur dyshohet se është konsumuar kjo vepër penale, në kohën kur Adriatik Llalla mbante postin e kreut të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, apo gjatë mandatit në krye të organit të akuzës.

Sipas nenit 257 pika a) e Kodit Penal, nëse Adriatik Llalla gjendet fajtor për këtë akuzë, ai rrezikon që të dënohet me gjobë, deri në 3 vjet burgim.

Zanafilla e dosjes “Llalla” nis që në 2018, kur hetimet u nisën nga Prokuroria e Durrësit me katër akuzat. Dosja kaloi më pas tek Krimet e Rënda, ku në atë kohë, drejtuesja Donika Prela caktoi prokurorin Klodian Braho për këtë çështje. Përgjatë 2019 hetimet u zgjatën disa herë. Hera e fundit ishte në tetor, kur Gjykata për Krimet e Rënda miratoi kërkesën e Prokurorisë për të zgjatur me tre muaj të tjerë afatin e hetimeve, ndërkohë që avokati i Llallës kërkoi pushimin e tyre.

Zgjatja e hetimeve kaloi automatikisht dosjen “Llalla” te SPAK-u më 20 dhjetor, kohë kur u shkri Prokuroria për Krimet e Rënda dhe u ngrit struktura e re e organit të akuzës parashikuar nga reforma në drejtësi. Megjithatë, prokurori i çështjes nuk ndryshoi, pasi Klodian Braho nga prokuror i Krimeve të Rënda u bë pjesë e SPAK-ut.

Adriatik Llalla u akuzua fillimisht për shpërdorimi detyre, fshehje pasurie, pastrim parash dhe mosdeklarim të parave në kufi. Sa i takon shpërdorimit të detyrës ai u dyshua se ka pasur abuzime me tendera, pasi një tender ka përfituar dikush me të cilin Llalla ka bërë transaksione pasurish të paluajtshme.

Akuza tjetër, ajo e pastrimit të parave u ngrit pas zbulimit se ish-kryeprokurori kryente rivlerësime të shpeshta të pronave. Ai i blinte lirë dhe më pas i rivlerësonte duke rritur ndjeshëm çmimin.

Për akuzën e pastrimit të parave, prokuroria hodhi dyshimet se ish-kryeprokurori pastronte paratë e vëna përmes korrupsionit duke i investuar kryesisht në prona të paluajtshme, të cilave u rritej vlera pas proceseve të shpeshta të rivlerësimit. Mes dyshimeve ishte se Llalla përdorte skemën duke njoftuar blerjen me çmime të lira të pronave dhe më pas shitjen e tyre disa herë më shtrenjtë nga çmimi i blerjes.

Dyshime u hodhën për një transaksion që nis që në vitin 2007, kur Llalla ka deklaruar një ullishte në Mjull-Bathore, blerë 1.5 milionë lekë. Në vitin 2011 ai e rivlerëson pronën në vlerë 21 milionë lekë të reja, ndërsa po e njëjta pronë në vitin 2016 është shitur 249 mijë euro. Po ashtu ndryshime në vlerë ka pasur dhe për apartamentin në Durrës. Ai është blerë në mars të vitit 2012 në vlerën 2.2 milionë lekë të reja, ndërsa në prill po të 2012-ës është rivlerësuar me dyfishin e çmimit.

Të njëjtat dyshime u ngritën edhe për një tokë arë me sipërfaqe rreth 2 hektarë në Qehaj-Shytaj në Tiranë. Llalla deklaron se e ka blerë në dhjetor të vitit 2016 në vlerën 4.5 milionë lekë të reja dhe gjashtë muaj më vonë, pra në maj të 2017 e ka rivlerësuar në 36 milionë lekë të reja.

Megjithatë, tre akuzat e fundit duket se do të bien edhe në SPAK. Tashmë, pas dy vitesh nën akuzë, Adriatik Llalla pritet që të mësojë nëse do të merret zyrtarisht i pandehur vetëm për akuzën e mosdeklarimit të parave në kufi, apo edhe për këtë akuzë hetimet mund të pushohen.

Sidoqoftë fati i dosjes në Shqipëri, Adriatik Llalla mbetet familjarisht në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që e shpalli “non grata” për përfshirje në afera korruptive madhore. Llalla është akuzuar publikisht nga ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, që e cilësonte “peshk të madh” dhe pengesë për reformën në drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë