Drejtësia

SPAK kërkon rikthimin në qeli, në 5 mars seanca në Gjykatën e Lartë për Jamarbër Malltezin

Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka vendosur që me 5 mars të zhvillohet seanca për kërkesën e SPAK për rikthimin në qeli të Jamarbër Malltezit, i cili ndodhet në “arrest shtëpie” i akuzuar për korrupsion për privatizimin e klubit sportiv “Partizani”.

Rekursi i SPAK për Malltezin do të shqyrtohet nga Sokol Binaj, Sandër Simoni dhe Ilir Panda.

Në rekursin e dorëzuar Gjykatës së Lartë, dy prokurorët e çështjes u shprehën se ai kreu korrupsion duke bashkëpunuar me funksionarin më të lartë të kohës.

Prokurorët theksuan se mbajnë parasysh në këtë rekurs edhe vlerën e lartë të parave që dyshohet se u pastruan, kohështrirjen e aktivitetit kriminal dhe që sipas tyre i çon në konkluzionin se Gjykata e Apelit nuk e respektoi ligjin kur zbuti masën nga arrest me burg, në arrest shtëpie.

Malltezi u arrestua në tetor të 2023, për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” dhe pas një muaj qëndrimi në qeli u lirua nga gjyqtarja e Apelit, Iliriana Olldashi që caktoi masën e “arrestit shtëpiak”.

Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për Malltezin. Nga ana tjetër ai dorëzoi rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës “arrest shtëpie”.

Në të njëjtën datë, me 5 mars në orën 12 e 30 shqyrtohet edhe rekursi i ish-kryeministrit Sali Berisha për heqjen e masës detyrim paraqitje që u caktua ndaj tij fillimisht.

Berisha prej datës 30 dhjetor mbahet i izoluar në banesë për shkak se SPAK i kërkoi gjykatës ashpërsim të masës pasi nuk respektoi vendimin e parë të gjykatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë