Gazeta Si – Dy vrasje të mbetura në tentativë në Fier, në vitet 2017-2019 nga vrasës me pagesë me të njëjtin objektiv, janë zbardhur nga Prokuroria e Posaçme nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Henrik Hoxhaj, krahut të djathtë të vrasësit me pagesë, Nuredin Dumani.
SPAK njoftoi këtë të martë arrestimin e Albert Pashajt, i cili dyshohet se ka porositur vrasjen e një personi në të paktën dy raste, duke paguar 80 mijë euro. Objektiv, sipas SPAK ka qenë Aredin Behari.
Fatmirësisht, të dyja këto tentativa dështuan, kjo pasi në rastin e parë objektivi i pikasi autorët dhe u shtri përtokë.
Herën e dytë, pas goditjes së parë, arma e ekzekutorit u bllokua. Në njoftimin e saj, SPAK thotë se Pashaj pajtoi dy ekzekutorë për të kryer krimin, Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase, të dy të arrestuar më herët nga autoritetet dhe aktualisht në burg në kuadër rë operacionit ‘Plumbi i Artë”.
Në atentatin e parë, ekzekutori do të ishte Skerdi Tase dhe tentativa ndodhi më datën 5 nëntor 2017.
Por vrasja e Beharit nuk u arrit të finalizohej, pasi ky i fundit i pikasi autorët dhe u shtri menjëherë në tokë.
“Nga hetimet ka rezultuar se, për shkak të konflikteve të vazhdueshme midis vëllezërve Albert Pashaj dhe të dëmtuarit Aredin Behari, i hetuari Albert Pashaj, ka vendosur të vrasë Aredin Beharin në vitin 2017. Për të realizuar këtë qëllim, ai ka kontaktuar të hetuarin Henrik Hoxhaj, që të kryeje vrasjen e Aredin Beharit kundrejt pagesës, – thekson SPAK. – Henrik Hoxhaj, pasi ka marrë përsipër të kryejë këtë veprim, ka kontaktuar lidhjen e tij, të hetuarin Skerdi Tase me qëllim që vrasjen të kryenin së bashku (Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase ndodhen aktualisht të arrestuar). Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase pasi kanë rënë dakord për të kryer vrasjen e Aredin Beharit kundrejt pagesës, kanë siguruar armën e krimit kanë vëzhguar viktimën dhe kanë përcaktuar ekzekutorin i cili do të ishte Skerdi Tase në datën 05.11.2017. Për arsye që nuk vareshin nga vullneti i hetuarve Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase vrasja e Aredin Beharit nuk u arrit të finalizohej, pasi objektivi i ka pikasur menjëherë dhe është shtrirë në tokë”, vijon SPAK.
Por sipas hetimeve të prokurorisë, Albert Pashaj nuk e la me kaq dhe me qëllim që ta çonte deri në fund eliminimin e Beharit, në vitin 2019, e rriti pagesën duke e çuar në 80.000 euro.
Por Behari arriti t’i shpëtonte edhe këtij atentati. Në këtë rast, duke qenë se Tase dështoi herën e parë, ekzekutor u vendos të ishte Hoxhaj.
E më datë 3 prill 2019, Hoxhaj arriti të qëllonte një herë në drejtim të Beharit, por për fatin e tij të mirë, pas goditjes së parë autorit të dyshuar iu bllokua kallashnikovi.
“Porositësi Albert Pashaj nuk është ndalur këtu. I hetuari Albert Pashaj ka dashur ta finalizojë krimin e nisur në 2017 dhe në vitin 2019 (vrasje e shtetasit Aredin Behari) duke e çuar pagesën në 80.000 euro. Për këtë arsye, të hetuarit Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase, riorganizohen, duke gjetur automjetin, armën e krimit dhe pas vëzhgimit të objektivit Aredin Behari në datën 03.04.2019, vendosin të vrasin shtetasin atë. Ekzekutor në këtë rast u vendos të ishte Henrik Hoxhaj, duke qenë se herën e parë i hetuari Skerdi Tase nuk e finalizoi me sukses. Edhe këtë rast për fatin e mirë të viktimës Aredin Behari krimi nuk u arrit të finalizohej, pasi të hetuarit Henrik Hoxhaj pas goditjes së parë ju bllokua arma e llojit automatik kallashnikov”, thuhet më tej në njoftimin e SPAK.
Burime paraprake, bëjnë me dije se konflikti mes Albert Pashajt dhe Aredin Beharit kishte të bënte me prishjen e pazareve të drogës.
Albert Pashaj akuzohet nga SPAK për “Vrasje me paramendim”, e kryer për interes, në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, e kryer në dëm të Aredin Beharit, dy herë, (në datat 05.11.2017 dhe 03.04.2019), në qytetin e Fierit, në bashkëpunim me të hetuarit Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase“.
Falë dëshmive të dy të penduarve të drejtësisë, Henrik Hoxhajt dhe Nuredin Dumani autoritetet kanë mundur të hedhin dritë deri më tani në disa ngjarje kriminale
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



