Politike

Spaho: S’ka takime të fshehta me PS-në, refuzimit do t’i përgjigjemi me protesta

Bledar Hoti-Nuk ka asnjë marrëveshje të fshehtë me PS-në dhe se opozita është e bashkuar në qëndrimet e saja. Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho në intervistën e dhënë për Gazeta "Si" thekson se oferta e PD-së për reformën zgjedhore nuk parashikon që ajo të realizohet nga ndërkombëtarët, por të mbikëqyret nga të huajt. Më tej, numri dy i PD-së thekson se nëse mazhoranca nuk pranon kushtet e opozitës për zgjidhjen e krizës, atëherë opozita do t'i rikthehet protestave, që sipas tij, do të jenë edhe më të mëdha.
Z.Spaho, Bundestagu votoi pro hapjes së negociatave me Shqipërinë, duke vendosur 9 kushte për t’u plotësuar. Cili është vlerësimi i juaj mbi këtë vendim të marrë, dhe a mendoni se në tetor Shqipëria do të ketë një vendim pozitiv më 18 tetor nga Këshilli i BE-së?
Sikurse është përcaktuar nga vrojtues të shumtë të ambientit politik në Shqipëri, vendimi i Bundestagut gjerman është pasqyrë e krizës së thellë, në rradhë të parë politike, që ka mbërthyer Shqipërinë. Të 9 kushtet që i janë vendosur Shqipërisë për të plotësuar, janë edhe çështjet për të cilat opozita po lufton prej kohësh. Pas raportit të OSBE/ODIHR ky është dokumenti tjetër që ndërkombëtarët pranojnë krizën politike në Shqipëri dhe nevojën urgjente për kapërcimin e saj.
Zgjidhja e kësaj krize arrihet vetëm me zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën. Opozita tashmë e ka shprehur vullnetin e saj për të kontribuuar në zgjidhjen e krizës nëpërmjet propozimeve të bëra në tryezën e mbajtur për reformën zgjedhore. Nëse mazhoranca nuk ka vullnet politik për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të ndershme, fjalën do ta kenë qytetarët shqiptarë, të cilët do të dalin shpejt në protesta edhe më të mëdha dhe më të fuqishme se ato të zhvilluara gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Nënkyetari i PD-së, Spaho, së bashku me kryedemokratit Basha, kreun e LSI-së, Kryemadhi, dhe demokratët Berisha dhe Paloka gjatë diskutimi


Një ndër kushtet e vendosura është edhe realizimi i reformës zgjedhore me konsensus. Ndërkombëtarët kanë nisur përpjekjet për të ulur në tryezë PD dhe PS për reformën zgjedhore. Opozita paraqiti platformën e saj për reformën zgjedhore, duke kërkuar ajo të realizohet nga ndërkombëtarët. A zhvendos kjo Parlamentin apo atë që cilësohet si opozita parlamentare një propozim i tillë, duke i nxjerrë jashtë loje?
Opozita e paraqiti propozimin e saj në tryezën e organizuar nga OSBE për reformën zgjedhore, por Kryeministri e sulmoi duke treguar që nuk ka vullnet politik për të pranuar gjendjen e rëndë në të cilën është vendi i qeverisur prej tij, lë më pastaj të dialogojë për rrugët e kapërcimit të saj. Ne nuk kemi kërkuar që reforma zgjedhore të realizohet nga ndërkombëtarët, por të mbikëqyret nga një trupë e përbërë nga një përfaqësues i Parlamentit, një perfaqesues i Opozitës dhe përfaqësues të BE dhe SHBA.
Çfarë parashikon platforma e PD-së për reformën, një ndryshim të ligjit zgjedhore apo dhe dhe prekje të Kushtetutës. A është PD-ja për ndryshimin e sistemit?
Shqetësimet tona, për të cilat kemi rreth 8 muaj në protesta që nga djegja e mandateve, kanë të bëjnë me krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ato u shprehën edhe në raportin e OSBE/ODIHR për 30 Qershorin dhe kanë të bëjnë me shitblerjen e votës, përdorimin e kontigjenteve kriminale, përdorimin e administratës publike, policisë, përdorimin e resurseve shtetërore në zgjedhje nga maxhoranca dhe një sërë çështjesh të tjera të cilat deformojnë vullnetin e zgjedhësve.

Edmond Spaho, duke hyrë në një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.


Garantimi apo thyerja e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme është në radhë të parë çështje vullneti politik. Sikurse theksoi raporti i OSBE/ODIHR për votimet e 30 Qershorit, kuadri ligjor ekzistues është i mjaftueshëm për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, nëse nuk mungon vullneti politik. Rrjedhimisht ne jemi të përqendruar në dhënien e vendit të garancive politike, ligjore dhe institucionale që askush të mos mundet të ndërhyje dhe deformojë vullnetin e qytetarëve. Problemet me zgjedhjet në Shqipëri i ka krijuar vullneti politik i Edi Ramës për t'i manipuluar ato, duke përdorur çdo mjet të mundshëm për të garantuar qëndrimin në kolltukun e pushtetit.
Si mund të realizohet një reformë e tillë, a parashikon propozimi juaj një marrëveshje besimi me PS-në me prezencën e faktorit ndërkombëtar, si një garanci për zbatimin e saj?
Propozimi ynë është ai i paraqitur në tryezën e mbajtur së fundi me iniciativën e misionit të OSBE-së në Tiranë. Një pjesë e punës për rishikimin e Kodit Zgjedhor është përmbyllur nga komisioni Çuçi-Bylykbashi. Për çështjet e tjera jemi gati të paraqesim propozimet tona në përputhje me linjat që paraqitëm në tryezën e mësipërme.


Z. Spaho, a keni kontakte me mazhorancën për ndonjë marrëveshje për reformën zgjedhore? A mendoni se marrëveshja me PS-në mund të realizohet përpara datës 18 tetor, një pakt PD-PS me praninë e OSBE-së apo të BE dhe SHBA?
Nuk ka as kontakte dhe as marrëveshje të fshehta me PS. Kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë të gjitha përpjekjet pranë miqve tanë ndërkombëtarë dhe që klima e brendshme politike të kontribuojë pozitivisht në një vendim për hapjen e negociatave me BE. Është në interesin madhor të vendit, por edhe në interesin më të mire të opozitës që të merret një vendim pozitiv për hapjen e negociatave për aderimin e Shqipërisë në BE.

Po në raport me aleatët tuaj, a keni unitet qëndrimesh. Kam parasysh këtu që kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka shprehur që nuk ishte kushti i LSI-së mos ulja me Edi Ramën në tryezë, apo dhe se nuk përbën problem shkuarja në zgjedhje me Ramën si kryeministër. Vetë PD-ja a është tërhequr nga këto kushte?
Opozita është e bashkuar dhe unike në qëndrimin e saj të bërë publik në muajin Shkurt 2019. Objektivi i Opozitës ka qenë dhe mbetet krijimi i kushteve për zgjedhjet e lira e të ndershme, qeveri tranzitore pa Edi Ramën dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare së bashku me zgjedhjet kushtetuese lokale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë