Lajme

“Spaçi”, Basha: Betimi kundër diktaturës, në fuqi edhe sot!

Sipas Lulzim Bashës, betimi për të mos pranuar diktaturën është në fuqi edhe ditën e sotme. Përmes një statusi në Facebook, kryedemokrati Basha, duke kujtuar revoltën e Spaçit, fton qytetarët “për të mos pranuar mbi vete asnjë diktator apo karikaturë diktatori, që mban peng të ardhmen tonë Europiane”.

“Sot kujtojmë me nderimin më të thellë revoltën madhështore të Spaçit! Ato 2 ditë lirie në Burgun e Spaçit ishin më të rëndësishme se e gjithë propaganda e diktaturës sepse rrëfejnë betimin e shqiptarëve për të mos pranuar asnjëherë diktaturën dhe dhunën, – nënvizon kryedemokrati. – Ky betim është në fuqi edhe sot. Nuk ka ditë më domethënëse se 46-vjetori i revoltës së Spaçit, për të ftuar çdo shqiptar që e do Shqipërinë të lirë nga diktatura e krimit, që t’i qëndrojë besnik betimit për të mos pranuar mbi vete asnjë diktator apo karikaturë diktatori, që mban peng të ardhmen tonë Europiane”.

Basha shkruan se “jam krenar që në këtë betejë, Partia Demokratike e Shqipërisë është në anën e duhur të historisë, është në nderim të vlerave për të cilat dhanë jetën heronjtë e Spaçit, është në ballë të saj për të mos bërë asnjë kompromis në rrugëtimin tonë drejt Europës”. Në fund ai fton sërish shqiptarët që të ngrihen kundër së keqes.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/posts/2413804712004029

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë