Menaxhim

S&P rrit vlerësimin për Shqipërinë në B+ dhe nënvizon shkallën e lartë të evazioni

Agjencia ndërkombëtare e S&P (Standard&Poor) ka konfirmuar për Shqipërinë vlerësimin B+ duke e cilësuar si të qëndrueshëm. Agjencia mbështet parashikimin e mëhershëm për rritje me 5% të ekonomisë së Shqipërisë brenda vitit 2021 dhe tejkalim të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vitit 2019.

Agjencia parashikon që deficiti fiskal, i cili u rrit në 2020, do të fillojë të ulet që nga 2022 dhe do të kontribuojë që niveli i borxhit publik ndaj PBB të fillojë të ulet, ndërsa ekonomia rikuperohet dhe shpenzimet për masat kundër pandemisë do të shuhen.

S&P përmend shfrytëzimin e hapësirave fiskale për të vijuar me pagimin e detyrimeve të prapambetura të akumuluara në vitet e mëparshme, në veçanti vëmendja ndaj zerimit të stokut në rimbursimin e TVSH.

Agjencia Standard&Poor ia atribuon rritjen e deficitit nga 1.9% në 6.9%,  humbjeve në të ardhura, shpenzimeve shtesë të lidhura me pandeminë, si dhe shpenzimeve kapitale të rritura. Buxheti i rishikuar 2021 targeton të njëjtin nivel deficiti në raport me PBB, dhe një vijimësi të shpenzimeve kapitale të larta.

Agjencia projekton që raporti i borxhit të përgjithshëm të qeverisë ndaj PBB-së, që është në nivele mjaft të larta, pasi të arrijë në rreth 78% të PBB-së në vitin 2021, pritet të bjerë nga viti 2022 e më tej.

“Agjencia shprehet se disa përpjekje të qeverisë do të mbështesin konsolidimin në vitet e ardhshme. Për shembull, qeveria pret që të zbatojë një strategji afatmesme të të ardhurave për të rritur mbledhjen e të ardhurave. Qeveria Shqiptare ka filluar zbatimin e një sërë sistemeve, përfshirë atë të Fiskalizimit për të siguruar miradministrim fiskal, për të modernizuar sistemin ekzistues fiskal dhe për të siguruar rritje të të ardhurave ndaj PBB-së në mbi 30% në vitet e ardhshme.”

Agjencia vlerëson se me rreth 28% në vitin 2018, raporti fiskal i të ardhurave ndaj PBB-së së Shqipërisë është më i ulëti në Ballkanin Perëndimor, nivel i cili sipas agjencisë i atribuohet evazionit fiskal, shkallës së lartë të informaliteti në ekonomi dhe përjashtimeve të ndryshme tatimore në buxhet.

S&P shprehet se autoritetet po ndjekin në mënyrë aktive përpjekjet për të përmirësuar profilin e borxhit publik, i cili aktualisht karakterizohet nga risku i rifinancimit dhe ai i kursit të këmbimit, duke qenë se rreth gjysma e borxhit publik është e denominuar në monedhë të huaj. Maturiteti mesatar i borxhit publik kohët e fundit është rritur, por mbetet relativisht i shkurtër, në 4.5 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë