Ngjarje

South Outdoor, ‘një bekim për turizmin e Jugut’, me kosto të lirë kënaqësie

Ndonjëherë një festë është ajo çka nevojitet për t’i dhënë zërin e munguar një zone turistike në të cilën bukuritë natyrore e traditat kanë gjalluar që në krye të herës.

Këtë, pohonin edhe shumë të tjerë për “South Outdoor”, festivalin që u mikprit në Borsh i cili më shumë se kurrë ishte kthyer këtë vit në një arenë festimesh, turistësh shqiptarë e sidomos të huajsh. Kjo vërehej kollaj, ku fill sa merrje rrugën drejt detit niste vargu i makinave të parkuara anash ullishteve, panoramë që zor se e has edhe në kulmin e sezonit turistik.

Të gjitha strukturat hotelerike jo vetëm në Borsh por edhe në fshatrat afër tij, ishin të zëna ndërsa numri i turistëve ishte rreth dhjetëmijëshes, dyfishi i vitit të shkuar.

Festivali po i nxiste të vizitonin jugun e Shqipërisë dhe të zhvillonin turizmin e atyre anëve ku duhej të ishte investuar qëmoti. Kështu thonin shumica prej tyre, kryesisht italianë dhe spanjollë që kishin përsëritur ardhjen e tyre për të qenë prezentë në të njëjtin festival si vitin e shkuar.

Ishin të shumtë në numër dhe teksa i shihje të angazhuar në të gjithë aktivitetet që të ftonin të bashkoheshe, e kuptoje shpejt që ata pas këtij festivali do t’i riktheheshin saherë Shqipërisë.

Gaia, një italiane në mesin e tyre tha për Gazetasi.al se kjo festë e kishte bërë të zbulonte jugun e Shqipërisë që asaj nuk i përngjante dot më gjë tjetër.

“Nëse nuk do të kishte qenë për këtë festival të cilin e hasa online nuk do e dija kurrë që ekziston një vend kaq i bukur edhe pse jemi shtete fqinje. Nuk dua të largohem”, tha ajo referuar Borshit dhe nxitoi të checkonte byzylykun që mbante në dorë pranë hyrjes së derës qendrore që të shpie tek fusha ku mbahet festa.

Në momentin që futesh, shikimi fillimisht të rrok shumë njerëz, mandej skenën nga luhet muzika dhe dalëngadalë shquan një për një të gjithë kioskat e vendosura anash, aty ku shërbehen birra, ushqime të përgatitura hëpërhë, zahire e kësilloj.

Grupmoshat janë të ndryshme duke nisur që nga kalamajtë e vegjël.

Të rinjtë deri para orës 9 kur fillojnë të ngjiten në skenë këngëtarët, përgjithësisht i sheh të ulur në kënde të sajuara kashte, të vendosur qark fushës, apo pranë kinemasë së hapur në natyrë ku shfaqen disa nga filmat më të mëdhenj të kinematografisë botërore dhe klasikë nga Arkivi i Filmit Shqiptar, me titra në anglisht.

Ditën atmosfera është më e vakët sepse shumë prej tyre zgjedhin t’i drejtohen bregdetit për hedhje me parashutë, shëtitje me kalë e not. Në mbrëmje është krejt e kundërta.

Muzika dhe dritat mbledhin rreth vetes thuajse të gjithë prej tyre. Pjesa më e madhe drejtohen drejt skenës për të shijuar performancat ndërsa të tjerët vijojnë të kërcejnë nga vendet ku janë.

Mes turmës ndihet energjia..nga ritmi i tyre i vallëzimit, nga trokitjet e birrave, xixave të vendosura në fytyrë dhe kontrastit të ngjyrave në veshje. Ndihet veç atmosferë rinie mes tyre ndonëse kishte edhe pjesëmarrës të moshuar, kryesisht banorë vendas që vinin për të hedhur një sy andej.

Eugen Likaj, një nga organizatorët por njëkohësisht edhe përgjegjës turizmi në Bashkinë Himarë thotë se këtë vit numri i turistëve ishte jashtë pritshmërive.

“Kushtet e luhatshme atmosferike nuk i stepën turistët edhe pse ne e patëm një frikë të tillë. Jam shumë i lumtur që nuk rezultoi kështu. Është bërë një punë kolosale për shumë kohë por rezultati është i dukshëm. Numri i turistëve ka qenë i jashtëzakonshëm”, thotë ai për Gazetasi.al duke shtuar se edhe në dy të mëngjesit, ora kur përgjithësisht mbaron festivali, pjesëmarrja rrotullohet rreth katër mijëshes, aq turistë sa ishin megjithsej vitin e shkuar.

Banorët e zonës e konsiderojnë festën një bekim

“Kemi fshatin me vijën më të gjatë bregdetare të cilit i ka munguar vëmendja për shumë kohë. Organizimi i këtij festivali për të parën herë këtu pas Pilurit dhe Vunoit, ishte dita kur Perëndia bekoi turizmin e zonës i cili po merr vrullin e merituar” tha për Gazetasi.al një borshiot që ishte ulur dhe shikonte me qesëndi të gjithë njerëzit që kalonin para tij.

Të tjerë pohonin të njëjtën gjë. Gratë e fshatit që reklamonin reçelrat dhe glikotë thanë për Gazetasi.al se ishin të lumtura që njerëzit po i eksploronin bukuritë e fshatit të tyre duke qenë shpresëplota që tashmë dhomat që japin me qira do të jenë më të mbushura gjatë sezonit në vijim.

Dukeshin të impenjuara të shisnin punët e tyre artizanale në kohën më të favorshme të vitit sepse ndonëse disa prej tyre pohonin që nuk kishin marrë pjesë me parë në festivale të tilla,e dinin tipologjinë e këtyre turistëve.

Festivali, treguesi kryesor që sezoni turistik do të jetë kulminant         

Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro tha për Gazetasi.al se pjesëmarrja në aktivitet është tregues i sezonit më të mirë turistik që Borshi ka parë në gjithë këto vite.

Ai thotë se ky festival po ndihmon shumë në drejtim të turizmit gjithëvjetor për ta kthyer atë në një model të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik.

“Ka tre vite që festa bëhet në Borsh dhe kjo sepse vendndodhja është shumë e favorshme. Ka detin, malin, fushën. Sidomos kjo e fundit, është e domosdoshme një hapësirë e tillë aq e madhe. Këtë vit e kemi zgjeruar edhe më shumë hapësirën në të cilën e kemi shtrirë festivalin për t’u lënë njerëzve vend të kënaqen në më shumë se 40 aktivitete të ndryshme”,thotë ai për Gazetasi.al.

“Nuk ke nevojë për të pirë, për atmosferë ekzaltuese”

Shumë nga të rinjtë pjesëmarrës në festë thonë se përzgjedhja e këngëtarëve ka qenë shumë e gjetur dhe ndryshe nga ç’janë mësuar, mund të bëjnë shumë qejf edhe pa pirë.

“Të gjithë këngëtarët por edhe DJ të ndryshëm kanë bërë shumë atmosferë. Gjithësecili në stilin e tij por mjaftueshëm për t’u kënaqur”, thotë njëra prej tyre për Gazetasi.al.

Disa nga këngëtarët që kanë përferomuar deri tani janë Elita 5, Eugent Bushpepa, Offchestra, Gipsy Grove, Sardi Strugaj, Killua, Urban Band, Abelomania, Mickey, Aldo Boocky etj.

Sonte(2 maj) në orën 23:00 pritet të performojë Elvana Gjata për të cilën turma dukej shumë e emocionuar.

Kostoja e kënaqësisë, shumë e lirë

Kostoja e festivalit pretendohet të jetë e lartë ndërsa kostoja e kënaqësisë për pjesëmarrësit është vetëm 50 euro, për të pesta ditët.

Për Borshin që tashmë po bëhet streha e këtij festivali, turistët thonë se 50 euro nuk janë asgjë krahasuar me lirinë, bukuritë natyrore dhe vijën bregdetare prej 7km që vetëm ai di të servirë.

“Festivali është gjithë çfarë i kishte munguar këtij vendi”, dëgjohej shpesh vërdallë për Borshin, fshatin turistik që frymon mes malesh që më në fund po merr vëmendjen e merituar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë