Lajme

Sot vendimi për negociatat, Holanda këmbëngul: Ka progres, por s’është i mjaftueshëm

Këshilli i Ministrave të Jashtëm dhe ministrave për Çështjet Europiane të vendeve anëtare të Bashkimit Europian u mblodh këtë të martë në Luksemburg, ku ndër të tjera diskutohet edhe hapja ose jo e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Mbledhjes i parapriu një apel i Komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn drejtuar vendeve anëtare të BE që t’i japin dritën e gjelbër fillimit të bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë duke theksuar rëndësinë e dhënies së “një sinjali pozitiv” për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Nëse kjo nuk do të shpërblehet në një mënyrë kuptimplote, mendoj se do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm dhe të menjëhershëm në stabilitetin e rajonit” paralajmëroi Hahn, Këshillin Europian.

Por, pengesa duket se do të mbërrijë nga Holanda.

“Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë progres në drejtim të shtetit ligjor, por, në të njëjtën kohë, Shqipëria dhe Maqedonia nuk janë ende ku duhet. Ne duam të shohim një rekord në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit. Ne duam të shohim rezulatet konkrete, por s’mund të përjashtohet fakti se progresi është bërë kohët e fundit. Shpesojmë që negociatat të nisin me të dyja vendet”, tha Stef Blok.

Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok

Kryediplomati holandez nuk pohoi prerazi se vendi i tij do të vendosë veton, por nuk përjashton mundësinë që një vendim pozitiv të merret në shtator, ose në dhjetor të këtij viti.

Gjermania nga ana tjetër e ka marrë vendimin e saj dhe fton edhe Holandën dhe Francën që të japin dritën jeshile për dy vendet.

“Ne jemi gati të japim dritën jeshile dhe duam të inkurajojmë miqtë tanë, Holandën dhe Francën të na bashkohen”, tha ministri gjerman i për Europën, Michael Roth, që e kishte të pamundur t’i jepte një përgjigje pyetjes nëse si Franca ashtu edhe Holanda do t’i bashkohen Berlinit në këtë vendim.

Austria nga ana tjetër mbështet çeljen e negociatave dhe shpreson që në fund të ditës të arrihet një konsensus mes vendeve anëtare për këtë qëllim. Mbështetje për hapjen e negociatave kanë dhënë edhe ministrat e tjerë të Jashtëm të pjesës më të madhe të vendeve anëtare të bllokut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë