Politike

Seanca në GJKKO / Berisha: Gati të shkoj në çdo kohë, por sot nuk e menderos Kushtetutën

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar një seancë të posaçme sot në 14:00 për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Në këtë seancë është parashikuar të merret në pyetje si person nën hetim ish-kryeministri Sali Berisha.

Por ende nuk ka një konfirmim nëse Berisha do të shkojë në SPAK. Edhe pse ai e ka lënë të kuptohet se nuk do të shkojë në gjykatë, sa kohë që kësaj pyetje i është përgjigjur një ditë më parë se do të respektoje Kushtetutën, sipas interpretimit që ai i jep dokumentit themeltar.  

“…Për sa kohë Kushtetuta nuk lejon kufizimin e lirisë së deputetit, për sa kohë rregullorja e Kuvendit, nuk e lejon, unë do t’i zbatoj. Kushtetuta ka përparësi ndaj ligjeve të tjera. I garantoj të gjithë zyrtarët e drejtësisë të zbatojnë ligjin se do të kenë vlerësimin tim më të madh. Me urdhër të Ramës kanë sjellë në mënyrë të turpshme policët. Kjo është përpjekje për të na devijuar. Nuk më detyron mua kush të thyej ligjin dhe Kushtetutën”, tha Berisha në konference për shtyp.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe të martën paradite.

“…Siç e dini ju, jam njeriu që kam dërguar në parlament ligjin i cili vendoste barazinë e plotë mes çdo zyrtari dhe zyrtarit në Kushtetutë. Këtë ligj e ktheu me forcën e kartonit Rama. Jam gati ta votoj nesër. Përderisa ky ligj është në Kushtetutë, nuk pranoj asnjë kompromis për shkeljen e tij. Po konsultohem me juristë.

Në çdo kohë jam i gatshëm të paraqitem për t’u pyetur dhe për çdo gjë. E vetmja gjë që nuk pranoj është të shkel Kushtetutën e vendit. Të ndryshojmë Kushtetutën. Jam autori i ligjit që kjo mbrojtje të mos ekzistojë. Hajde të ndryshojmë Kushtetutën, por jo ta menderosim Kushtetutën. Piramida e trillimit, mashtrimit e falsifikimit do të shembet dhe u garantoj se nuk pengoj asnjë proces hetimor, gjyqësor…”, tha Berisha

Ai i ka cilësuar akuzat e ngritura ndaj tij si politike duke pretenduar se në rastin e tij është shkelur Kushtetuta.

Gjithashtu, kreu i PD-së nuk ka pranuar të takojë oficerët e policisë që duan t’i komunikojnë masën e sigurisë dhe duan t’i kërkojnë pasaportën.

Berisha dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë