Opozita e bashkuar do të zhvillojë protestën e radhës kombëtare përpara Kryeministrisë në orën 19:00.
Rreth 1700 efektivë policie do të jenë në gatishmëri në protestën kombëtare të opozitës, e shtata në katër muaj.
Mësohet se Partia Demokratike ka kërkuar një marshim proteste nga ora 19:00 deri në mesnatë, ndërsa policia i ka kthyer shkresë se e lejon të protestojë vetëm para godinës së Kryeministrisë te bulevardi “Dëshmoret e Kombit” dhe deri në orën 21:00.
Për të shmangur konfrontimet e mundshme do të jenë të angazhuara si plan i masave kamera sigurie, dron, agjentë civilë, automjete të hedhjes së ujit si dhe garda e republikës.
Kryedemokrati Basha në rrjetet sociale ka shkruar se “nuk ka asnjë hap pas për çlirimin e vendit nga e keqja”.
Basha i ka ftuar të gjithë qytetarët që të mblidhen sot në orën 19:00.
Ndërkohë, edhe kryetarja e LSI-së nëpërmjet një postimi në “Facebook” shkruan se Shqipëria ka nevojë për forcën e protestës qytetare. Ndër të tjera, Kryemadhi i kërkon qytetarëve të jenë bashkë në protestën e shpresës dhe se e keqja po shembet.
“Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për forcën e protestës qytetare, ka nevojë që të gjithë bashkë të dëshmojmë se e ardhmja e fëmijëve tanë nuk mund të jetë peng i papërgjegjshmërisë së Edi Ramës!”, shkruan Kryemadhi.
Ndër të tjera, Kryemadhi u kërkon qytetarëve të jenë bashkë në protestën e shpresës dhe se e keqja po shembet.
“Të jemi bashkë në protestën e shpresës, sepse e keqja po shembet dhe se e nesërmja bëhet më e mirë, vetëm kur qytetarët i dalin zot fatit të tyre!”, vijon më tej kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




