Në një kohë që kryeministri Rama gjatë kësaj jave ka bërë thirrje për dialog nëpërmjet tri letrave publike drejtuar liderit të PD-së, opozita nga ana e saj vijon qëndresën për të mos negociuar për datën e zgjedhjeve.
Kauza e tyre për një Shqipëri Europiane dhe për largimin e kryeministrit Rama vazhdon dhe sot në orën 19:00 do të mbahet protesta e gjashtë kombëtare para Kryeministrisë. Kjo e sotmja do të jetë e treta protestë brenda muajit maj.
Ashtu si në çdo protestë tjetër, forcat policore janë vënë në gatishmëri. Janë 1500 efektivë policie që do të angazhohen para Kryeministrisë dhe godinës së Parlamentit, edhe pse nuk dihet ende skenari i opozitës për protestën e sotme.
Që në orët e para të mëngjesit janë vendosur gardhe metalike, shtyllat janë lyer me graso, ndërkohë që janë vendosur kamera me rezolucion të lartë për të pasur nën mbikëqyrje situatën.
Një ditë më parë, lideri i PD-së me një kolazh nga protestat e mëparshme, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të bëhen bashkë në protestë sot dhe ka theksuar se “nuk do të ketë asnjë kthim pas e asnjë kompromis”.
Të njëjtën thirrje për t’u bashkuar ka bërë edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të arritur, sipas saj, barazinë mes shqiptarëve.
Ndërsa, ish-kryeministri Berisha shkruan se “Sot Cunami i historisë. Shqipëria vërshon drejt Tiranes! Rama ik! Fitore!”.
Ambasada Amerikane nga ana e saj një ditë më parë bëri thirrje për të pasur kujdes në protestën e sotme. Në një njoftim publikuar në faqen zyrtare, ambasada sugjeroi që të shmangen grumbullimet e mëdha, duke pasur parasysh dhunën gjatë demonstratave të fundit të opozitës.
Situata politike vijon të jetë në kaos, në një kohë që presidenti Ilir Meta ka konsideruar shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Meta duke iu referuar Kushtetutës sugjeroi shtyrjen e datës së zgjedhjeve nëse palët politike bien dakord.
Ndërkohë, ai ka bërë deklarata të forta edhe për Reformën në Drejtësi, pasi e ka cilësuar si të pasuksesshme, duke e lidhur me mungesën e Gjykatës Kushtetuese në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




