Lajme

Sot Ditëlindja e Forcave të Armatosura

Forcat e Armatosura mbushin sot 106 vjeç. 4 Dhjetori i 1912 është data kur u themelua ushtria e shtetit të sapoformuar shqiptar, që drejtoheshin nga Ministria e Luftës. Ministri i parë ishte Mehmet Dëralla.

Strukturat kryesore përbërëse të saj ishin forcat aktive rezervë dhe ato vullnetare si edhe xhandarmëria, me 12 mijë vet personel gjithsej. Një vit më vonë, pas Konferencës së Londrës në Shqipëri mbërrin një grup ushtarakësh holandezë me misionin ristrukturimin dhe përgatitjen e Forcave të Armatosura Shqiptare. Lufta e Parë Botërore e gjeti ende të pastrukturuar mirë ushtrinë shqiptare, ndërkohë që pas kësaj lufte dhe konsolidimit të Ahmet Zogut në pushtet, Forcat e Armatosura Shqiptare u trajnuan nga italianët deri më 9 prill të 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia.

Pas çlirimit, forcat ushtarake shqiptare u orientuan ashtu si i gjithë vendi fillimisht nga Jugosllavia dhe më pas nga Bashkimi Sovjetik e Kina. Paranoja e diktatorit Enver Hoxha pas prishjes me rusët dhe kinezët e çuan vendin jo vetëm në izolim total, por edhe në armatosje deri në dhëmbë.

Rrëzimi i regjimit nuk cenoi fuqinë e ushtrisë shqiptare, por trazirat e vitit 1997 ishin goditja e madhe. Miliona armë të lehta dhe qindra-mijëra armë më të rënda u shpërndanë pas bastisjes së depove të armatimit nga civilët. Pasojat ishin katastrofike dhe çuan vendin në kufijtë e një lufte civile.

Pas tejkalimit të ’97, Shqipëria si vend kandidate për anëtarësim në NATO nisi proceset për të përshtatur armatimin sipas standardeve të aleancës. Në vend nisi shpejt procesi i demontimit të armatimeve të vjetra, ndërsa vendi anëtarësohej me të drejta të plota më 1 prill të 2009. Sot, Forcat e Armatosura Shqiptare janë të ndara në tre degë; ato tokësore, ajrore dhe detare dhe numërojnë me dhjetra misione në kuadër të NATO-s në Afganistan e vende të tjera të botës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë