Nga Liridon Mulaj- Me një zë të rrallë dhe me një prani skenike që e bën të dallueshme në çdo produksion ku ngjitet, Marigona Qerkezi është sot një nga emrat më premtues të Operës Ndërkombëtare.
E lindur në Kroaci, me rrënjë nga Kosova, ajo ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme duke performuar që nga skena e Operas Mbretërore në Oman te La Fenice në Venecia, nga Tokio në São Paulo, nga Parma në Dubai.
E shpallur Rising Star nga International Opera Awards dhe përfshirë në listën prestigjioze të OperaWire si një nga yjet në ngritje të vitit 2023, Qerkezi gjendet në Tiranë me ftesë të Teatrit të Operas dhe Baletit, për një koncert gala si soliste, i pari në vendin tonë për të.
Në një rrëfim për GazetaSi.al Marigona Qerekezi shprehet e lumtur për këtë koncert gala, të parin e këtij lloji për të në Tiranë.
“Kam kënqësinë të kthehem në Tiranë pas shumë vitesh. Është hera e parë që vij me një gala recital, ku jam vetëm unë si soliste, e shoqëruar nga orkestra dhe kori i Teatrit të Operas dhe Baletiti të Tiranës dhe dirigjuar nga maestro Fabrizio Maria Carminati. Programi është mjaft i veçantë dhe i larmishëm dhe unë mezi po pres natën e shfaqjes në datë 12 ora 20:00 në mënyrë që të ndjej dhe praninë e një publiku të mrekullueshëm si ai shqiptar. Jam e lumtur dhe e emocionuar për këtë” thotë Qerkezi
Ajo shton se nga hera e fundit e saj në TKOB, kanë ndryshuar shumë gjëra, që nga salla e re.
“Hera e fundit që kam performuar në këtë teatër ishte ende i pa restauruar. Është kënaqësi që e gjej në këtë gjendje tashmë, të rinovuar. Është një sallë shumë e bukur dhe unë mezi po pres të bëj provat gjenerale që të kuptoj dhe akustikën e sallës por ta përjetoj edhe nga skena sepse në këtë sallë të re unë kam qënë vetëm si spektatore. Unë jam shumë e lumtur që mbas turneut që pata këto kohë nëpër botë me koncerte dhe shfaqje, të pranoj edhe ftesën e drejtorit aktual të TKOB, Aulon Naçit, që edhe Tirana të bëhej pjesë e këtij sezoni aktual në të cilin jemi.”

Duke qenë se emrat e përmendur në botë më së shumti janë Ermonela Jaho dhe Saimir Pirgu, Qerkezi thotë me siguri se ka edhe shumë emra të tjerë të talentuar shqiptarë të operas dhe muzikës klasike të cilët shumë shpejt do të jenë emra të afirmuar.
“Unë jam e lidhur drejtpërdrejt në këtë botë kaq të bukur. Shoh, dëgjoj dhe më gëzojnë shumë emrat që vijnë nga trevat shqiptare. Po flas specifikisht për operën. I shoh jo vetëm në emrat dhe në programet e ndryshme nëpër botë por edhe kur ndajmë skenën bashkë. Sigurisht emrat e njohur janë tashmë, Pirgu dhe Jaho por ju siguroj që ka edhe shumë emra të tjerë dhe lista është shumë më e gjatë. Dhe pavarësisht se si territor në hartën e botës ne nuk zëmë aq shumë vend por në hartën e kulturës po, sidomos në atë të operas kemi një zë që jehon fort”
Sipas Qerkezit, edhe pse me ndryshimin e brezave dhe praninë e teknologjisë si realitet thuajse jetik, publiku i operas dhe muzikës klasike nuk ka ndryshuar në botë. Këtë ajo e vë re që nga brezat e rinj e deri tek ata që janë të kultivuar tashmë me këtë lloj muzike.

“Muzika klasike nuk ka kohë. Ajo ka shekuj e shekuj që kur është shkruar që transmetohet nga zemra në zemër dhe nga gjenerata në gjeneratë. Në vendet ku performoj shoh një publik të madh që ka interes për muzikën klasike. Edhe nga mosha shumë të reja, e natyrisht deri te mosha më e madhe. Më gëzon ky fakt që shoh shumë publik. Këtë e vërej dhe në Tiranë. Operistika është një botë që sa më shumë ta frekuentojnë njerëzit aq më shumë do ta kuptojnë, dhe mund edhe të dashurohen” shprehet ajo për GazetaSi.al
Edhe pse Marigona është tashmë një yll ndërkombëtar, zemra i rreh për Kosovën dhe Prishtinën dhe shpreson se bashkëpunimet me operan e Kosovës do të vazhdojnë.
“Në Prishtinë kam qenë e ftuar, kam ndarë skenën më Saimir Pirgun dhe është vërtetë kënaqësi e madhe të ndash skenën me këto emra. Gjithashtu Ermonela Jaho ka performuar para pak ditësh atje dhe është diçka shumë e bukur që Opera e Prishtinës po fton emra të mëdhenj. Ne veprojmë internacionalisht por zemra dhe mendja është gjithmonë në vendin prej nga vimë. Shpresoj shumë që të jem sërish atje ”
E lindur në Zagreb dhe me fëmijëri të ndarë mes Ljubjanës dhe Zagrebit e më pas Prishtinës, Marigona Qerkezi thotë se ndjehet shqiptare me SH të madhe, bindje të cilën ia përforcojnë shqiptarët që takon kudo nëpër botë.
“E ndjej veten shqiptare me SH të madhe. Unë kam lindur në Zagreb, jam shkolluar më pas në Ljubjanë dhe Zagreb, edhe performancat e mija të para i kam pasur aty. Kjo dhe falë prindërve që jetonin dhe vepronin aty, mamaja si mezosoprano ndërsa babai kostumograf. Mandej prindërit vendosën që kontributin e tyre ta jepnin në Prishtinë dhe ne u kthyem aty. Por mbetem shqiptare gjithandej dhe me fat që ka shumë shqiptarë në skenat e mëdha të operas dhe që vinë e na ndjekin që nga Japonia e largët, në Amerikë, në pjesën më të madhe të Europës, i takoj në instrumenta, në kastë, pjesë e korit të teatrove të ndryshëm, çka e përforcon atë që thashë në fillim se jemi shumë shqiptarë në këtë botën e operas dhe muzikës klasike” – mbyll rrëfimin sopranoja shqiptare.

Marigona Qerkezi do të performojë natën e 12 Qershorit në orën 20:00 në sallën e TKOB, ku së bashku me dirigjentin italian Fabrizio Maria Carminati do të sjellin për publikun shqiptar disa nga kryeveprat e operistikës botërore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.