Shendet

Sondazhi/ Shumë ilaçe të zakonshme mund të rrisin presionin e gjakut

Presioni i lartë i gjakut mbetet një ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në SHBA.

Pothuajse gjysma e të rriturve kanë presion të lartë të gjakut dhe vetëm një e katërta e tyre e kanë presionin e gjakut nën kontroll, duke i vënë ata në rrezik të shtuar të sulmeve në zemër, goditjes në tru, demencës, sëmundjeve të veshkave dhe sëmundjeve të tjera.

Përpara pandemisë së koronavirusit, presioni i lartë i gjakut shkaktoi ose kontribuoi në më shumë se gjysmë milioni vdekje në vit në Shtetet e Bashkuara, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Me shumë gjasë, këto shifra janë rritur, pasi rastet e presionit të gjakut janë rritur gjatë pandemisë.

Ju mund të keni menduar prej kohësh se presioni juaj i gjakut ishte brenda kufijve normalë. Por në vitin 2017, ekspertët ulën shifrat që tregonin një presion të shëndetshëm të gjakut, duke rezultuar në një përqindje më të madhe të popullsisë me këtë gjendje të rrezikshme.

Ish kufiri i sipërm i presionit “normal” të gjakut, dikur besohej se ishte 14 me 9, por u njoh si shumë i lartë për të parandaluar probleme serioze shëndetësore me kalimin e kohës.

Kufiri aktual i sipërm i normales është 13 me 8.

Ka shumë arsye për shkallën e lartë të hipertensionit të pakontrolluar në vend.

Të qenit mbipeshë dhe, për shumë, konsumimi i tepërt i kripës kryesojnë listën, e ndjekur nga përdorimi jo konsistent i ilaçeve dhe dështimi për të krijuar një stil jetese që mund të ulë presionin e lartë të gjakut.

Një studim i ri ka nxjerrë në pah një problem tjetër shpesh të panjohur për pacientët dhe të anashkaluar nga mjekët që mund të komplikojë trajtimin e hipertensionit dhe të rrisë radhët e atyre me presion të lartë të gjakut të pakontrolluar: numri i madh i medikamenteve dhe suplementeve që njerëzit marrin, disa prej të cilave mund të rrisin presionin e gjakut dhe minojnë përfitimet e trajtimit efektiv.

Studimi përfshiu 27,599 të rritur, 35.4 për qind e të cilëve kishin hipertension të pakontrolluar, të cilët ishin pjesë e Anketave Kombëtare të Ekzaminimit të Shëndetit dhe Ushqimit.

Sondazhet periodike, të cilat njihen si NHANES dhe gjurmojnë shëndetin e një kampioni përfaqësues të amerikanëve, zbuluan se shumë njerëz morën medikamente dhe substanca të tjera që mund të rrisnin presionin normal të gjakut ose të kufizonin efektivitetin e trajtimit për të ulur presionin e lartë të gjakut.

Në mesin e të rriturve në anketë, 17.5 përqind e të cilëve hipertensioni nuk ishte i kontrolluar në mënyrë adekuate po merrnin barna me recetë që mund të rrisin presionin e gjakut, raportuan studiuesit.

Dhe 18.5 për qind e pjesëmarrësve të anketës me hipertension që u trajtua në mënyrë efektive po merrnin gjithashtu ilaçe të tilla, duke sugjeruar se disa nga këta njerëz mund të mos kishin nevojë për trajtim specifik të presionit të gjakut.

Studimi u publikua në internet në nëntor dhe autori i tij, Dr. Timothy S. Anderson, një mjek i kujdesit parësor në një Qendër Mjekësore  në Boston, tha se ai dhe kolegët e tij shpresonin të paralajmëronin më shumë mjekë dhe pacientë për mënyrat se si medikamentet ose substancat e tjera mund të kontribuojnë në rritjen e presionit të gjakut.

Rritja e ndërgjegjësimit do të ishte veçanërisht e dobishme përpara se pacientëve t’u jepeshin barna për të ulur presionin e gjakut ose t’u jepeshin ilaçe më të fuqishme për të rritur efektivitetin e trajtimit aktual.

Për disa kushte mjekësore që nuk lidhen me hipertensionin, kalimi në një ilaç tjetër mund të sjellë presionin e ngritur të gjakut të pacientit në normalitet.

Për shembull, autorët e studimit sugjeruan që gratë që marrin një kontraceptiv oral që përmban estrogjen, i cili mund të rrisë presionin e gjakut, mund të kalojë në një kontraceptiv vetëm me progestin ose johormonal. Në mënyrë të ngjashme, ata që marrin një ilaç anti-inflamator josteroid, për të kontrolluar dhimbjen mund të përdorin acetaminofen në vend të tyre.

Ekziston një listë e gjatë e medikamenteve të përshkruara, si dhe barnave pa recetë dhe substancave rekreative dhe suplementeve, që mund të ndërhyjnë në trajtimin efektiv të hipertensionit.

Përveç barnave që përmbajnë estrogjen, lista përfshin ilaçe të përdorura gjerësisht si ilaçet kundër depresionit dhe steroidet orale si kortizoni; substanca si nikotina, alkooli dhe kokaina; suplemente bimore si jamballi (bime medicinale kundër stresit dhe virozave) dhe, natyrisht, kripa.

Kafeina, gjithashtu, mund të rrisë presionin e gjakut në afat të shkurtër tek disa njerëz.

Kur mjekët nuk arrijnë t’i pyesin pacientët se çfarë tjetër mund të marrin, ose nëse pacientët neglizhojnë të përmendin të gjitha ilaçet pa recetë dhe ato bimore dhe barnat me recetë që ata marrin – pacientëve mund t’u përshkruhet një ilaç i panevojshëm ose më i fuqishëm për presionin e gjakut që mund të ketë efekte anësore shqetësuese.

Dr. Anderson tha se mjekët “u mësuan të kontrollojnë pacientët fillimisht për barna të tjera që po merren që mund të rrisin presionin e gjakut, por pacientët nuk kontrollohen domosdoshmërisht për një përdorim të tillë me kalimin e kohës”.

Ai tha se ishte e rëndësishme që mjekët të merrnin të dhëna  të mira mjekësore, duke përfshirë atë që mund të kishte ndryshuar në jetën e pacientëve që kur presioni i tyre i gjakut ishte nën kontroll për herë të fundit.

“Ndoshta ka pasur një ndryshim në dietë që shkaktoi një rritje të shpejtë të presionit të gjakut,” tha Dr. Anderson.

“Për shembull, disa pacientë janë shumë të ndjeshëm ndaj kripës,” tha ai. Së bashku me moshën dhe peshën, kripa është parashikuesi më i fortë i presionit të lartë të gjakut me kalimin e kohës.

Ndryshimi i vetëm i një ushqimi të konsumuar shpesh me shumë kripë, si pica, mish i pjekur ose supë e konservuar, mund të jetë i mjaftueshëm për të ulur rrezikun e hipertensionit”.

Për pacientët me hipertension të cilët duhet të marrin një ilaç që mund të rrisë presionin e gjakut, Dr. Anderson këshilloi përdorimin e një aparati të tensionit.

Një rritje e papritur e presionit të gjakut pas fillimit të një ilaçi të ri mund të ndihmojë mjekun që të rekomandojë një ilaç alternativ nëse është i mundur.

Edhe nëse keni presion normal të gjakut për pesë ose më shumë dekada, 90 për qind ekziston mundësia që ju të zhvilloni hipertension ndërsa rriteni, gjë që e bën edhe më të rëndësishme modifikimin e rreziqeve si kripa dietike dhe pesha e tepërt.

Një tjetër parashikues i zakonshëm është edhe stili i jetesës.

Zhvillimi i një zakoni të aktivitetit të rregullt fizik mund t’i ndihmojë njerëzit të mbajnë një presion normal të gjakut gjatë gjithë jetës.

Masa të tjera efektive për të kontrolluar hipertensionin përfshijnë lënien e duhanit dhe kufizimin e konsumit të alkoolit.

“Edhe një reduktim modest i pirjes së duhanit dhe pijes mund të ketë një ndikim pozitiv në presionin e gjakut,” tha Dr. Anderson.

Përpara se të filloni mjekimin për hipertensionin, tregojini mjekut tuaj një listë të të gjitha barnave që merrni, dhe zbuloni çdo substancë problematike.

Marrë nga New York Times/ Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë