Nga Gazeta ‘Si’ - Nën optikën e qytetarëve, Ballkani Perëndimor mbetet një vend i pasigurt nga frika e destabilitetit ose rindezja e ndonjë konflikti të mundshëm.
Vetëm 39% e qytetarëve mendojnë se Ballkani Perëndimor është një vend i sigurt për të jetuar sipas rezultateve të sondazhit mbi sigurinë në rajon për këtë vit, SecuriMeter 2024, realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
Sipas anketës, të zhvilluar me 6.000 qytetarë në të gjithë rajonin, 48% kanë frikë se mund të ndodhë një luftë mes ekonomive të Ballkanit Perëndimor, duke reflektuar tensionet e vazhdueshme.
31% e qytetarëve të anketuar mendojnë që Ballkani Perëndimor do të jetë një rajon më i sigurt vitin e ardhshëm.
Anketa gjithashtu përfshiu edhe gjetje të tjera.
Referuar saj, 36% e shohin depopullimin si një problem të madh ndërsa 23% po planifikojnë ose janë në proces emigrimi.
Rezultatet gjithashtu nxjerrin në pah shqetësime të rëndësishme të sigurisë me dimension gjinor, me 66% të grave që e identifikojnë dhunën në familje si një kërcënim të rëndësishëm dhe 54% që e shohin ngacmimin seksual si një shqetësim të vërtetë.
Sipas statistikave të disponueshme në rajon, mesatarisht një grua vritet çdo javë.
Të dhënat e SecuriMeter 2024 ofrojnë një hartë për adresimin e këtyre sfidave përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal, politikave të synuara dhe iniciativave për ndërtimin e besimit.
Raporti theksoi nevojën për:
* Progres të dukshëm për të rivendosur besimin e publikut
* Ndërhyrje efektive për të adresuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe dobësitë institucionale;
* Politika të plota për të trajtuar depopullimin, çështjet e sigurisë gjinore dhe sfidat ekonomike;
* Integrim më të thellë në BE dhe NATO, pasi 31% e qytetarëve e njohin rolin e NATO-s në stabilitetin rajonal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.