Pak kohë më parë Zv /Ministri i Financave Elton Haxhi do ti kërkonte ndjesë biznesit për ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal duke premtuar që paketa fiskale do të hartohet një herë në 3-5 vjetë.
Por kjo çështje që prej asokohe nuk është përmendur më, madje gazeta “Si” kërkoi pranë Ministrisë së Financave një intervistë për këtë çështje, por që nuk u mor parasysh.
Këtë vit paketa fiskale, përpos disa ndryshimeve për tregun e automjeteve, nuk paraqet asnjë politikë të re.
Sipas Anastas Angjelit, pjesë e Komisionit Kuvendor për Ekonominë dhe Financat dhe relator i Paketës Fiskale 2020, “Ky projektligj është një vazhdim i paketës së vjetër me fokus administrimin”, por për të ligjet e reja bëhen për të lehtësuar bizneset që rrjedhimisht të përfitojnë qytetarët.
Ai kërkon nga Ministria e Financave që në krijimin e paketave fiskale të kihet parasysh klima e biznesit dhe konteksti i situatës në Bashkimin Europian.
“Arrijmë të plotësojmë funksionin e shtetit, të plotësojmë nevojat, a përmbushim objektivat sociale, a do të jetojë qytetari shqiptar më mirë se një vit më parë”? – janë pyetjet që ngre Angjeli, i cili duke përmendur raportin e këtij viti të “Doing business”, shprehet se në paketën fiskale nuk reflektohet klima e biznesit.
Për të rrëzimi i Shqipërisë me 20 vende nga lista e “Doing business 2019” tregon për përkeqësimin e klimës së biznesit në vend.
“Besoj që në këtë klasifikim ka dy elemente të rëndësishme. Një vend rrëzohet sepse qeveria nuk ka prodhuar politika të duhura për të lehtësuar biznesbërjen ose janë ngritur vende të tjera sepse qeveritë repsektive kanë prodhuar politika shumë të mira. Por 20 vende poshtë, do të thotë që ne jemi përkeqësuar me të vërtetë sepse nuk kemi arritur të prodhojmë politika të mira për biznesin. Prandaj duhet reflektuar ky rezultat i keq i madh”- shprehet Angjeli.
Për të, ligjet fiskale janë më kryesoret që ndikojnë në klimënn e biznesit dhe sipas Angjelit, “ka ardhur koha të kemi një fokus për paketat fiskale në drejtime a) çfarë po ndodh me ekonominë tonë b) si i përgjigjet paketa fiskale edhe klimës së BE-së ku synojmë të shkojmë.”
Paketat fiskale, gjykon eksperti Angjeli i paraprijnë edhe mendimit të politikave ekonomike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




