Rend dhe Ligj

Snajper dhe pistoletë në makinë, arrestohet një 53-vjeçar në portin e Durrësit

Gazeta Si – Një 53-vjeçar u arrestua sot në portin e Durrësit, pasi në makinën e tij u gjetën armë zjarri, konkretisht një snajper, një pistoletë dhe një armë gjahu.

Shtetasi i ndaluar është Selman Lajçi. Në mëkinën e tij tip “Land Rover” u gjetën gjithashtu edhe 1367 copë fishekë luftarakë dhe 800 copë fishekë për armë gjahu. Lajçi është ndaluar në portin e Durrësit, pasi kishte udhëtuar me tragetin e linjës Ankona-Durrës. Lajçi banonte në Zvicër dhe do të udhëtonte drejt Kosovës.

“Shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës, në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, bazuar në analizën e riskut dhe inteligjencën informative për një shtetas që kishte me vete armë zjarri dhe do të hynte në Shqipëri, organizuan dhe finalizuan, në bashkëpunim me Strukturat Hetimore të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore, operacionin policor të koduar “Snajperi”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S.L., 53 vjeç, banues në Zvicër. Shërbimet e Policisë kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë në hyrje të RSH 53-vjeçarin, së bashku me automjetin e tij tip “Land Rover” dhe gjatë kontrollit, Policia gjeti të fshehura në brendësi të makinës një armë zjarri pistoletë, një snajper, një armë gjahu, 1367 copë fishekë luftarakë dhe 800 copë fishekë për armë gjahu, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme“, – thuhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë