Njerez

Skulptori që gdhend ëmbëlsirat

Nëse gdhendja e një skulpture është mëse normale për një student që shkollohet pranë Universitetit të Arteve të Bukura, punimi i një “skulpture të ëmbël” me marcipan dhe brum sheqeri është një punë e cila kërkon një lloj talenti dhe  disipline që pakkush i ka.

E në fakt, ka dhe njerëz që i bëjnë të dyja.

Ergys Lleshi është një ndër artistët e rinj të cilit, arti, ashtu i pakornizuar siç është,  i ka dhuruar hapësirën për ta ushtruar atë në të gjithë format,linjat dhe thurjet e tij.

Veç pikturës dhe skulpturës, ai krijon torta të ndryshme tematike, shumëkatëshe, shumëformëshe, në gjithëfarëlloj trajtash e ngjyrash, me pasionin, talentin dhe dashurinë për artin që duket se kanë lindur bashkë me të.

“Gati në përfundim të Liceut Artistik nisa të kërkoja një punë e cila më dukej interesante dhe më ngjallte interes për ta bërë.

Shumë shpejt e gjeta veten në një ndër pastiçeritë më me zë në Tiranë tek interesohesha pikërisht për tortat tematike, të cilat sigurisht i kisha parë e kisha dëgjuar në disa vende në Shqipëri por në qasjen time të dikurshme mendoja se duhej mbase t’u jepej një tjetër vlerë dhe të shiheshin me një sy më estetik.”-rrëfen Ergysi për gazetën “SI” hapat e parë drejt kësaj rruge.

Tek punonte me skulpturën dhe vizatimin ndër vite, ai nuk e dinte që po krijonte një territor të ri i cili do i jepte mundësinë për ta shtrirë artin në një tjetër sferë, edhe më fitimprurëse.

Fill në momentin që nisi të punonte, duket se zbuloi brenda vetes një lloj potenciali të cilin e kish patur ngahera ku bashkë me punën dhe disiplinën erdhi krejt natyrshëm edhe progresi.

Ai tregon për gazetën “SI” që krijimi i tortave tematike është më gjerë se aq sa jep në dukje.

“Është një vepër dhe një punë e cila kërkon nga pas shumë durim, delikatesë dhe detaje. Ndonëse është bërë një fjali shumë tipike kjo, por nuk mjafton kurrsesi veç pasioni ose dëshira që mund të kesh ndaj saj.

Mund të jesh shumë i talentuar ama nëse nuk punon me përkushtimin dhe devotshmërinë që kjo lloj pune kërkon, rezultati nuk është gjithmonë i kënaqshëm.

Është një lloj marrëdhënie shkak-pasojë, ti do marrësh aq sa jep.”

Ai i mëshon shumë pjesës që produkti final të jetë ai që kërkohet pasi në këtë mes, veç punëtorit, artit e punës, qëndron klienti i cili paguan në mënyrë që ti të realizosh pritshmëritë që ai ka.

“Është një punë larg të qenit sipërfaqësore. Veç estetikës, deri diku është dhe empatike.

Ndonjëherë duhet të përfshihesh edhe në psikologjinë e klientit, t’i shohësh detajet me syrin e tyre, të mendosh nëse një lloj sfondi apo ngjyre është i përshtatshëm për ta.

Tortat tematike tregojnë shumë për personalitetin e një klienti. Mënyra se si ai e kërkon,format që do të përfshihen, sa shpërthyese apo e heshtur do të jetë torta, janë një sërë detajesh që ty përgjithësisht të japin të kuptosh se çfarë pëlqen ose jo ai, nëse është natyrë ekspresive apo e kundërta.

Është një lloj pune që të servir një panoramë me shumë ngjyra.”-rrëfen Ergysi dhe është e pashmangshme të mos dallosh të gjithë përfshirjen e tij në këtë punë.

Ai tregon se tortat tematike jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë kanë ardhur duke u kërkuar gjithmonë e më shumë kështuqë e sheh veten brenda këtij tregu.

Në kokë i gëlonin shumë mendime dhe ide për risitë e reja në këtë fushë, ku e ku të shtonte ndonjë detaj a të hiqte ndonjë tjetër rrugës që në syrin e tij prej artisti mund t’i dukej i tepërt.

Fakti që ka punuar me skulpturën, për të cilën ndjek dhe studimet e larta në Universitetin e Arteve tashmë, e ka ndihmuar shumë.

“Unë e dua artin por aq sa është i bukur është dhe i lodhshëm. Sidomos skulptura. Gdhendja më ka kalitur durimin, më ka rindezur brenda vetes dashurinë për estetikën dhe për të bukurën e sigurisht që nuk e shoh veten larg tyre.

Skulptura ishte pikërisht ‘dora që më duhej’ për t’u ngjitur në një tjetër fushë paralele, sa të ngjashme aq dhe të ndryshme,por këtë herë pa steka druri dhe baltë që gjendet vërdallë nëpër studio.”

Ergysi bën pjesë pikërisht në grupin e të rinjve që i jepet punës, që nuk është mjaftuar veç me talentin por gjithmonë ka eksperimentuar në sfera të ndryshme të artit.

Rreth dy vite më parë, atëherë kur trendet e kohës u fokusuan tek atletet e vizatuara (customade), ai ishte një ndër të paktët që i bënte në Shqipëri.

Vizatonte mbi atlete, me bojëra dhe penela të hollë figura të ndryshme, duke u dhënë një tjetër “vibe” atyre.

Duke i reklamuar në rrjetet e tij sociale, ai shpejt filloi të merrte kërkesa të ndryshme nga njerëz që kërkonin me se s’bën një palë të tilla.

Ndër gjithë detajet që tregon, është e pamundur të mos  vesh re një lidhje pazgjithshmërisht të fortë mes artit që ai bën dhe biznesit fitimprurës, në secilën sferë, në secilin drejtim.

Në gjithë zinxhirin e punëve  të tij, me veprat, vizatimet, skulpturat me pluhur dhe ato të ëmbla, mund të gjesh në secilën hallkë hapësirë për një bazë pune fitimprurëse.

Fjalia që hasim rëndom kur vjen fjala për artin në Shqipëri, ajo e :“Artistat vdesin për bukë”, nuk bën sens tek Ergysi.

Ai është shembulli që na tregon antitezën e saj, dhe jo veç antitezën por edhe anën tjetër të historisë.

“Është e vërtetë që arti nuk vlerësohet mjaftueshëm jo veç në Shqipëri por edhe në botë. Ngahera është hasur kjo problematikë në fushën e artistëve për faktin se njerëzit që nuk kanë lidhje me artin nuk e dinë se sa punë do një vepër nga mbrapa.

Por, sot, nëse ke talentin duhet te jesh veç pak kreativ në mënyrë që ti një vepër ta përshtasësh me kohën, ta kthesh atë në trendet që kërkohen.

Merre bazën dhe modernizoje, jepi trajtë tjetër, shiko tregun, gërsheto ide dhe ajo do kthehet në një punë fitimprurëse.”- përfundon fjalinë Ergysi duke mos u larguar asnjë moment nga stoicizmi për punën.

Nëse do e takonit do dallonit që larg ambicien që nuk e has tek shumë të rinj sot e sytë që i shkëlqejnë më shumë kur flet për artin, për punën e për idetë që ka të mbrujtura fort brenda vetes.

Ergysin tani e gjeni tek rend drejt studios së skulpturës, aty mes stekave të drurit, baltës e busteve, për t’u shkëputur drejt ambjentit të punës mes “skulpturave të ëmbla” e për t’u arratisur në fund mes vijëzimeve që i lë lapsi tek vizaton në shtëpi mbi fletën e bardhë.

Ndërsa, në një të ardhme të afërt, ai është shpresëplotë që do jetë duke krijuar një shkrirje mes tyre e duke sjellë risi në artin shqiptar.

Pjesa tjetër është retiçencë…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë