Katar 2022

Skuadrat e vendeve të tyre nuk janë në Kupën e Botës. Por pse disa tifozë kanë shkuar në Katar?

Akomodimi është në tenda, nuk ka birrë në stadiume, temperaturat janë jashtëzakonisht të larta  dhe e gjithë ngjarja prej kohësh është e mbushur me polemika mbi shkeljet e të drejtave të njeriut.

Për tifozët që kanë në Botëror skuadrat e vendeve të tyre këto mund të mos jenë arsye për të mos shkuar por për tifozët që nuk kanë as skuadrat e tyre në Botëror, këto ngjarje do të ishin një arsye e fortë për të mos shkuar.

Gjithsesi, nuk ka ndodhur kështu. Tifozë që nuk kanë as skuadrat e tyre në Botëror janë atje për të mbështetur skuadra të tjera, ose jo!

Duke ecur nëpër rrugët e ngushta të qendrës së Dohas vihen re ethet e Kupës së Botës, me tifozë nga të katër anët e globit që takohen në sheshe dhe restorante për të festuar në mënyrën e tyre.

Mbrëmjet janë akoma më të bukura, me grupe njerëzish që mblidhen së bashku sipas vendit, duke kënduar dhe kërcyer.

Tregu Souq Waqif në Doha është bërë qendër e aktivitetit të fansave.

Një nga grupet më të zhurmshme në ditët e fillimit ishte një grup i tifozëve anglezë nga India.

Grupi është plotësisht i koordinuar, duke veshur të njëjtën fanellë me emrin e kapitenit të Anglisë, Harry Kane. Ata këndojnë me krenari këngë që lidhen me kombëtaren angleze, por i përziejnë me këngë tradicionale nga India.

“Futbolli është jeta jonë”

Mbështetësit u bënë viralë javën e kaluar, me njerëz që i akuzonin si “tifozë të rremë”, të përdorur për të krijuar përshtypjen e njerëzve që shijonin një Kupë Bote, e cila, pas polemikave rreth mikpritësve të Lindjes së Mesme.

Organizatorët e Katar 2022, si dhe FIFA, i hodhën poshtë pretendimet dhe një anëtar i grupit i tha CNN se ishte çuditur kur kishte parë titujt e mediave.

“Ne jemi një grup tifozësh nga Kerala, në Indinë Jugore”, tha ai, shumë i zënë duke kënduar dhe kërcyer për të dhënë emrin e tij të plotë.

“India nuk është në turne dhe ne e kemi dashur gjithmonë Anglinë. Ne të gjithë e kemi dashur David Beckham dhe për atë kemi filluar të duam edhe Anglinë”, tha ai.

Ali Abbadi është nga Jordania dhe aktualisht jeton në Dubai. Ai foli për CNN ndërsa eksploronte Souq Waqif, një treg i cili është bërë një qendër e aktivitetit të fansave.

“Unë jam këtu sepse është një mundësi e mirë dhe është shumë afër vendit tonë”, tha ai. “Në vitin 2018, Kupa e Botës në Rusi ishte shumë larg vendit tonë, por tani ndjejmë se Kupa e Botës është në shtëpinë tonë”.

Ali Abbadi, si shumë të tjerë në Doha, do të mbështesë Argjentinën në Katar 2022.

“Në Lindjen e Mesme ne gjithmonë shikojmë futboll. Futbolli është jeta jonë”, tha ai.

35-vjeçari kishte veshur me krenari fanellën e Argjentinës dhe sigurisht që nuk është vetëm.

Ngjyrat bardheblu janë më të njohurat në Doha këtë javë dhe pothuajse të gjitha fanellat kanë emrin Messi në pjesën e pasme.

Kjo jo vetëm që tregon fuqinë e Messit, por edhe ndikimin që klubi i tij aktual Paris-Saint Germain ka pasur në botë.

Skuadra franceze është në pronësi të grupit Katar Sports Investment dhe posterat e lojtarëve të saj, Neymar dhe Messi, janë të vendosura kudo rreth Dohas.

Por, ndryshe nga shumë tifozë që mbështesin Argjentinën për shkak të Messit, Ali nuk bën tifo për këtë.

“Unë e kam mbështetur Argjentinën edhe para Messit. Messi po bën një punë të madhe, por unë e kam mbështetur Argjentinën për më shumë se 15 vjet”, tha ai.

“Kam parë lojtarë si Gabriel Batistuta, Hernán Crespo dhe ato më kanë bërë të dua Argjentinën. Shpresoj shumë të fitojë ajo”.

Gjithashtu duket se as nuk duhet të jesh i apasionuar pas një ekipi për të shijuar Kupën e Botës në Katar.

Fei Peng është nga Kina dhe ka udhëtuar në Katar për të parë turneun me miqtë e tij. CNN e takoi atë teksa po shtrihej në banesën e tij të re në një nga fshatrat në skaj të qytetit.

“Kjo është një mundësi vërtet e mirë për të ardhur në një vend pritës që është më i vogël se qyteti im i lindjes, Pekini”, tha Peng, i cili i tha CNN se kishte bileta për 35 ndeshje gjatë turneut.

“Ne mund të kemi mundësinë të ndjekim kaq shumë ndeshje, është perfekte”.

Kur u pyet se kë do të mbështeste në Kupën e Botës, Peng tha se nuk kishte një “preferencë të veçantë” por dëshiron që Koreja e Jugut dhe Japonia të arrijnë rezultate të mira.

Vetëm pak dyer më poshtë nga vendi ku CNN u takua me Peng, Jimmy dhe Kennis Leung po rehatoheshin në shtëpinë e tyre për 16 ditët e ardhshme.

Bashkëshortët Leung po qëndrojnë në një nga fshatrat e tifozëve dhe do të bëjnë tifo për Holandën.

Çifti udhëtoi për në Katar nga Hong Kongu, por, ndryshe nga Peng, ata kanë një ekip të preferuar për të mbështetur.

Jimmy ishte i veshur me ngjyrat dalluese portokalli të Holandës dhe thotë se është i emocionuar të shohë ekipin e tij “të adoptuar” duke luajtur, pavarësisht se nuk ka lidhje të dukshme me skuadrën holandeze.

“Ata kanë lojtarë dhe histori të shkëlqyer prandaj mua më pëlqen skuadra”, tha ai, i lumtur.

“Dua të shoh të gjitha ndeshjet e tyre në grup”.

Mes gjithë kritikave për Katar 2022, turneu padyshim ka ofruar një mundësi për njerëzit që të shijojnë për herë të parë një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë