Nga Gazeta Si – Vetëm 24 orë pas arritjes së madhe të Lara Colturit në Sllallomin Gjigand të Kranjska Gorës në Slloveni, situata duket se nuk është më e qetë në kampin e familjes së saj, që është praktikisht edhe ekipi i Larës, ku kryesorja është nëna Daniela Ceccarelli, ish-kampionia italiane e Botës dhe Olimpike dhe babai i Larës së bashku me menaxherin.
Por kur Lara që deri dje ishte thjesht një fëmijë i vogël me pak shpenzime dhe me kërkesa minimaliste, pasi rezultatet dhe pjesëmarrja ishte në aktivitete të rinjsh gjërat ishin ndryshe, ndërsa sot, në këtë edicion të Kupës së Botës dhe kur e gjithë bota e skive përgatitet për Olimpiadën Dimërore të janarit të ardhshëm në Kortina të Italisë, gjërat janë ndryshe.
Lara ka arritur që në dy prej 9 etapave të Kupës së Botë që janë zhvilluar të renditet e dyta, jashtë pritshmërive, por me kërkesa, motivim e ambicie gjithnjë e në rritje.
Për të arritur deri këtu, sigurisht të angazhuar familjarisht, nëna, babai dhe menaxheri i saj, kostot sipas burimeve konfidenciale për Gazetasi.al janë rreth 500 mijë euro në vit, ndërkohë sponsorët aktual që Larta mban në fanellën e saj janë të gjitha të ardhura për të dhe familjen, por nuk janë kontrata të mëdha, madje të njëjtat burime na bëjnë me dije se këto sponsora sjellin rreth 150.000 euro për ta dhe rreth 100.000 euro i sigurohen nga Federata Shqiptare e Skive në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe sponsora të ndryshëm. Dhe nuk ka nevojë shumë për të kuptuar që sot familja e larës së bashku me të, dalin me humbje.
Nëna e saj Daniela Ceccarelli përpara se Lara të rritej dhe pasi kishte lënë sportin ishte komentatore teknike e Rai Sport dhe Sky Italia dhe paralelisht së bashku me bashkëshortin e saj kishin një shkollë skish që përdorej padyshim mbiemri Ceccarelli që në Itali është një simbol i skive.
Të gjitha këto biznese dhe para u ndaluan për të ndjekur talentin e vajzës e për ta ngjitur në majën e skive që rrjedhimisht do t’i sillte edhe para të një tjetër niveli nga ato çfarë po i sigurojmë ne sot.
Lajmi i rremë i publikuar për 24 orë në Sky Italia që më pas u hoq
Sky Italia ditën e djeshme nxori një lajm sipas të cilit Daniela, nëna e Larës, aludonte në një rikthim të vajzës së saj tek Italia, ndoshta edhe për Lojërat Olimpike dimërore. Ky lajm solli një debat të ashpër mes drejtuesve të Federatës Shqiptare të Skive dhe Danielës së cilës ju kërkuar me ultimatum përgënjeshtrimi i lajmit, duke thënë se ishte një lajm i rremë gazetaresk.
Dhe në fakt paraditen e sotme të gjitha mediat italiane, publikuan përgënjeshtrimin e Daniela Ceccarellit për lajmin e një dite më parë dhe ky lajm është hequr nga faqja online e sky sporti italia.
E shkuara e Danielës si kolege e gazetarëve të Sky të bën të aludosh në një fare mënyre, nisur edhe nga klima jo e qetë e marrëdhënies së saj me drejtuesit e federatës sonë, për arsyet financiare, një aludim ky që mund të qëndrojë.
Sa shanse ka Lara Colturi të garojë për Italinë dhe përse nuk ka garuar deri më tani?!
Federata e skive të vendeve të mëdha përveçse kanë disa miliona euro buxhete, kanë edhe shumë sportistë dhe sigurisht një staf të ekipit kombëtarë që emërohet nga bordet teknike të federatës, jo secili sportist mund të zgjedhë apo të ketë një trajner specifik personal, por do të bëjë me grupin. Kjo gjë nuk i ka shkuar për shtat me sa duket Daniela Ceccarellit dhe prej kohësh marrëdhënia e saj me drejtuesit e federatës italiane është thuajse e ngrirë për arsye influencash dhe egosh.
Një tjetër arsye e fortë është se në një federate si e jona, dhe një shtet si i yni, ku një sportiste të këtij niveli nuk e suportojmë dot, marrëveshja është bërë që të gjithë sponsorat që ajo mban në fanellë t’i marrë vetë paratë, gjë që nuk ndodh tek kombëtarja e Italisë, pasi sponsorat janë të federatës dhe secili sportist mban veshjet me logot që cakton federata, pa asnjë përfitim financiar.
Gjithsesi ato sponsora që sot Lara mban në uniformën e saj sjellin pak para, pasi flamuri ynë i vogël kuqezi në krahun e saj të djathtë, sigurisht përfaqëson një vend të vogël dhe federatë pa influencat e lobimeve që kërkojnë sponsorat e mëdhenj të arenës europiane dhe botërore.
Gjithsesi, pavarësisht kësaj, Lara Colturi nuk e ka luksin dhe as nëna e saj që të largohet nga Shqipëria me presione, as me shantazhe mediatike apo me një marrëveshje të prishur, pasi të gjitha pikët që grumbullon një sportist kur arrin në nivele të tillë janë në teserën e saj, nën ngjyrat kuqezi dhe sot, nëse ajo vendos të largohet pa miratimin e federatës tonë, ato pikë i bëhen 0 dhe gjithçka i duhet ta fillojë nga fillimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.