Rend dhe Ligj

Skënder Hita zgjidhet drejtori i ri i Policisë së Shtetit 

Nga Gazeta ‘Si’- Pas një gare me 13 kandidatë të tjerë, në një proces selektiv, Skënder Hita zgjidhet drejtori i ri i Policisë së Shtetit.

Vendimi është marrë këtë të hënë në mbledhjen e qeverisë, ndërsa lajmin e dha zyrtarisht ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, duke e cilësuar Hitën si ndër figurat më të spikatura dhe me vizion të qartë strategjik.

Procesi për garën për zgjedhjen e kreut të ri të policisë, u mbyll në 24 mars, ndërsa u ndoq nga afër edhe nga e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve në Tiranë, Nancy Van Horn.

Emrat që kandiduan më herët për detyrën ishin: Afrim Tafa, Alfred Çepe, Arjanit Arapi, Elidon Çela, Gentjan Berberi, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Lorenc Panganika, Neritan Nallbati, Pëllumb Seferi, Rebani Jaupi, Saimir Boshnjaku dhe Tonin Vocaj.

Në 5 vitet e fundit, Hita, 46 vjeç, ka qenë drejtues në qarqet Shkodër, Durrës, Dibër dhe së fundmi në Fier. Ai konsiderohet një nga drejtuesit më me përvojë në radhët e Policisë së Shtetit, me një karrierë të ndërtuar në disa nga qarqet më të rëndësishme të vendit dhe në struktura që lidhen drejtpërdrejt me luftën kundër kriminalitetit dhe garantimin e rendit publik.

Gjatë karrierës së tij në polici, ai ka mbajtur pozicione drejtuese në qarqe me sfida të veçanta për sigurinë, përfshirë edhe Shkodrën.

Në këtë qark, ku ka shërbyer edhe si zv/drejtor i hetimit të krimit, ka luajtur një rol kyç në formimin e profilit të tij profesional, duke e përballur me situata të ndërlikuara kriminale dhe duke kërkuar një koordinim të vazhdueshëm mes strukturave operative dhe hetimore.

Një tjetër fazë e rëndësishme në karrierën e tij, lidhet me drejtimin e policisë në qarkun e Durrësit, një zonë strategjike për shkak të portit kryesor të vendit, aktivitetit ekonomik të lartë dhe lëvizjes intensive të njerëzve dhe mallrave.

Posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policia e Shtetit mbeti vakant pas dorëheqjes së Ilir Prodës, ndërsa detyrën e mbajti për pak javë i komanduar, Sokol Bizhga.

Ish-kreu i Policisë Ilir Proda qëndroi në këtë detyrë 17 muaj. Ai u largua pas protestës së 28 shkurtit, për shkak se nuk arriti të garantonte rendin dhe sigurinë, pasi protestuesit e opozitës arritën të hyjnë në ‘zemrën’ e qytetit, në zonën e ish-Bllokut dhe goditën me molotovë vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, brenda së cilës gjendeshin disa artistë të huaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë