Gazeta Si – Skënder Hita ka marrë zyrtarisht detyrën si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Në ceremoni morën pjesë edhe zv.kryeministrja Albana Koçiu dhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari të cilët vlerësuan integritetin profesional të Hitajt në postet drejtuese të mbajtura më parë në Shkodër, Durrës, Dibër dhe Fier.
Vetë Hitaj në fjalën e tij, nënvizoi disa prioritete, si lufta ndaj korrupsionit edhe brenda radhëve të institucionit dhe thellimi i rezultateve në fusha të ndryshme të sigurisë dhe sundimit të ligjit.
“Mbetet sfidë thellimi i rezultateve dhe përmirësimi akoma më shumë i figurës së policisë, sepse një polici e denjë, matet me besimin që fiton çdo ditë ndaj qytetarëve”.
Pas 25 vitesh karrierë, Hita rreshtoi objektivat e tij kryesore, që nga rritja e parametrave të sigurisë në shkolla dhe komunitet, forcimi i rendit dhe sigurisë në të gjithë territorin e deri te rritja e transparencës dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë apo çdo agjenci ligjzbatuese.

“Lufta pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit duke filluar edhe nga radhët tona, rritja e parametrave të sigurisë në shkolla, forcimi i rendit në gjithë territorin e vendit, modernizimi i policisë përmes teknologjisë, rritje e transparencës ndaj qytetarëve, mbështetje dhe motivim për punonjësit që kryejnë detyrën me ndershmëri e përkushtim”.
Sipas tij, “Policia e shtetit duhet të jetë gjithmonë në krahun e qytetarëve, e gatshme dhe e përkushtuar. Siguria e qytetarëve është detyrimi ynë më i madh”,- tha Hita.
Ndërkaq, ministri Brendshëm Besfor Lamallari, vlerësoi figurën e Hitës duke u shprehur se ai ka përgjegjësinë e lartë për të çuar përpara një polici moderne dhe profesionale.
“Jam i bindur se të gjithë ju këtu e më gjerë në radhët e Policisë së Shtetit e jo vetëm, bini dakord me faktin se Skënder Hita reflekton besimin se ai është njeriu i duhur për të udhëhequr Policinë e Shtetit në një moment të rëndësishëm për vendin, duke garantuar stabilitet, lidership të vendosur dhe përkushtim ndaj shërbimit ndaj qytetarëve dhe ligjit. Ai është një oficer karriere, profesionist dhe i udhëhequr nga integriteti në çdo detyrë që ka mbajtur. Unë kam pasur fatin dhe mundësinë ta njoh nga afër e të punoj me të për një kohë të gjatë. Do të vazhdojmë sot e tutje të bashkërendojmë punët, për të përmbushur misionin tonë si shërbëtorë publik”, tha Lamallari.
Sipas burimeve, me marrjen e detyrës nga ana e Hitës, do të ketë “lëvizje” dhe ndryshime në nivelin e drejtorive të policisë në 12 qarqe.
Skënder Hita, 46 vjeç, iu nënshtrua një konkursi mes 14 kandidatëve, të cilët kaluan në filtrin e Komisionit të Posaçëm në Ministrinë e Brendshme, në garën e hapur më 3 mars.
Hita ka shërbyer në polici nga veriu në jug, me karrierë në ngjitje në 10 vitet e fundit. Një prej detyrave më të rëndësishme ishte drejtimi i Policisë së Shkodrës në vitin 2021.
Së fundmi, Skënder Hita drejtonte Fierin, qark i rëndësishëm me potencial krimi, por që vitin që lamë pas e mbylli me vetëm 2 vrasje, krim në familje.
Posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policia e Shtetit mbeti vakant pas dorëheqjes së Ilir Prodës, ndërsa detyrën e mbajti për pak javë i komanduar, Sokol Bizhga.
Ish-kreu i Policisë Ilir Proda qëndroi në këtë detyrë 17 muaj. Ai u largua pas protestës së 28 shkurtit, për shkak se nuk arriti të garantonte rendin dhe sigurinë, pasi protestuesit e opozitës arritën të hyjnë në ‘zemrën’ e qytetit, në zonën e ish-Bllokut dhe goditën me molotovë vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, brenda së cilës gjendeshin disa artistë të huaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje