Lajme

Skënder Gjinushi, kryetari i ri i Akademisë së Shkencave: Do ta reformojmë

Akademiku Skënder Gjinushi është zgjedhur me shumicë votash kryetari i ri i Akademisë së Shkencave.
Rreth 44 akademikë e kanë votuar me 35 vota pro dhe 6 kundër, kryetarin e ri të Akademisë së Shkencave. Gjinushi garonte i vetëm për pozicionin e kryetarit në këtë institucion.
Ndërkohë që për pozicionin e zv.kryetarit të ASH-së, akademiku Vasil Tole, për pozicionin e sekretarit shkencor të ASH-së, akademiku Salvator Bushati, kurse në pozicionin e kryetarit të seksionit të Shkencave të Natyrës, Neki Frashëri.
Në fjalën e tij para votimit, Gjinushi foli për sfidat që duhet të përballet kjo akademi në katër vitet e ardhshme.
Ai ka theksuar se ky institucion kyç i vendit duhet të kryejë me rigorozitet misionin e tij, duke marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë, përmes të cilave do t’i shërbejë profesionalisht shoqërisë përmes studimeve të thelluara.
“Institucioni ynë duhet të kryejë misionin e saj duke mos shmangur përgjegjësitë dhe të mos marrë përsipër atë që nuk iu takojnë. Kudo dhe kurdoherë se Akademitë e Shkencave nuk shihen si vetë problemi si partnerja e shoqërisë dhe qeverisë dhe ky duhet të jetë roli ynë në katër vitet”, është shprehur Gjinushi.
Sipas Gjinushit, Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka nevojë për reformim të thellë.
“Akademia e Shkencave do të kthehet në një institucion që do të reformojë sistemin dhe vetë akademinë. Ne do të bëjmë reformën e akademisë dhe bashkë me të edhe reformën për kërkimet shkencore dhe zbatimi i tyre me rigorozitet”, është shprehur ndër të tjera Gjinushi.
Ndërsa akademiku, Artan Fuga, e ka kundërshtuar këtë proces duke thënë se dita e sotme është një ditë e zezë për fushën e shkencës në Shqipëri. Ai pohoi se këto zgjedhje janë farsë dhe nuk do të pranojë rezultatin, pasi sipas tij, ky proces është puç institucional që i bëhet Akademisë së Shkencave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë