Njerez

‘S’kemi staf e as nuk bëhen trajnime për punonjësit social’. Raporti tregon problematikat në azilet e të moshuarve në Shqipëri

Nga Gazeta Si- Infermierët në qendrat për të moshuarit përballen me vështirësi në kujdesin për ta për shkak të problemeve të komunikimit dhe marrëdhënieve me ta dhe të afërmit e tyre, çka çon në largime dhe mungesë stafi.

Nga analiza e të dhënave të mbledhura në studimin “Vështirësitë dhe sfidat e përjetuara nga infermierët në institucionet e kujdesit për të moshuarit”, botuar në Plos One, dolën pesë kategori ku infermierët kishin më shumë vështirësi: vështirësitë profesionale, probleme arsimore,  sfida në marrëdhënie, rritje e stresit dhe mungesa e të drejtave të tyre.

Ky studim tregon se personeli përjeton shumë pengesa, sfida dhe nevojat e paplotësuara gjatë kujdesit për të moshuarit në qendrat e kujdesit afatgjatë.

Gjetjet tregojnë se infermierët që punojnë në institucionet e kujdesit për të moshuarit duan më shumë mbështetje organizative dhe kombëtare që stafi të kujdeset siç duhet për të moshuarit.

“Drejtuesit e institucioneve të kujdesit për të moshuarit duhet të njohin rëndësinë e rolit të tyre dhe të japin mbështetjen e duhur për stafin”, thuhet në studim.

Në studim shkruhet se numri i të moshuarve në Shqipëri që kanë nevojë për kujdes afatgjatë do të rriten nga 90 mijë në 130 mijë deri në vitin 2030.

Në Shqipëri funksionojnë 39 qendra rezidenciale për të moshuarit, nga të cilat 14 ofrojnë shërbime në qarkun e Tiranës. 25 të tjerat ofrojnë shërbime në Korçë (6 qendra), Shkodër (5 qendra), Berat (3 qendra), Durrës, Vlorë dhe Elbasan (2 qendra secila), Lezhë, Dibër, Gjirokastër, Fier dhe Kukës (nga 1 qendër).

Stafi i këtyre qendrave përbëhet kryesisht nga mjekë dhe infermierë. Në të njëjtën kohë, ka vetëm pak punonjës socialë dhe ndihmës infermierë, edhe pse profesioni i punonjësit social dhe asistentit të infermierit është parashikuar në strukturën e autorizuar. Kjo ndodh sepse as kurrikula universitare as institucionet e trajnimit në Shqipëri nuk ofrojnë trajnim adekuat për asistentët e infermierisë dhe punonjësit socialë në kujdesin për të moshuarit.

Njohuritë, trajnimet, sjellja dhe kujdesi i infermierëve ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e kujdesit, thuhet në studim, pasi studimet tregojnë se perspektiva e ofruesve të kujdesit ndikon në cilësinë e kujdesit që u ofrohet individëve të moshuar.

Por, infermierët përballen me probleme dhe vështirësi të ndryshme gjatë zbatimit të kujdesit dhe përmbushjen e përgjegjësive të tyre ndaj të moshuarve në institucionet e kujdesit.

Këto probleme lidhen gjithashtu me mjedisin fizik dhe pajisjet teknike të objekteve si dhe niveli arsimor i infermierëve.

Mungesa e trajnimit të stafit dhe një mjedisi të përshtatshëm është provuar gjithashtu se ndikon në cilësinë e kujdesit të ofruar për të moshuarit.

‘Ka dhe të moshuar që dehen dhe zihen me njëri-tjetrin’ / Përjetimet e infermierëve në qendrat më të moshuarit

Të dhënat zbuluan se infermierët përballen me vështirësi në kujdesin për të moshuarit për shkak të problemeve të komunikimit dhe marrëdhënieve me ta, të afërmit e tyre ose stafin.

Në qendra, infermierët kujdesen për njerëzit me demencë dhe të moshuar të tjerë me problematika të ndryshme shëndetësore që shprehin pasiguri në vendimmarrje lidhur me terapinë ose vendime të tjera, veçanërisht në fund të jetës së tyre.

Si rezultat i problematikave, infermierët kanë probleme emocionale. Këto sfida intensifikohen kur banorët e moshuar kanë sjellje agresive, duke çuar në probleme psikologjike, reduktim të orëve të punës, heqja dorë nga profesioni dhe në fund, mungesë infermierësh në këto qendra.

“Ndonjëherë na ofendojnë verbalisht dhe bëhen agresivë. Na godasin ose kafshojnë. Ka edhe banorë që pinë dhe pastaj dehen. Janë problem, sidomos kur punon natën. Sepse institucioni ynë ka nuk ka argëtim, na kërkojnë të dalim dhe të luajmë domino. Ata shqetësojnë të tjerët, apo edhe dhunojnë. Kjo ndodh sepse ne nuk mund të bëjmë asgjë dhe askush nuk na ndihmon e as nuk na mbështet për shkak të çorganizimit dhe mungesës së materialeve të nevojshme për t'i ofruar argëtim banorëve”, ka thënë një prej infermiereve.

“Ne nuk mund të kujdesemi gjithmonë kur ata kanë nevojë. Nuk kemi staf të mjaftueshëm në një turn. Duhet të ketë më shumë staf. Një infermiere duhet të bëjë pothuajse gjithçka. Me vetëm një infermiere dhe një punonjës të kujdesit, janë tridhjetë njerëz”, tregon një tjetër infermier.

Përveç kësaj, mungesa e personelit ka rritur ngarkesën e punës dhe ka vështirësuar fokusimin e infermierëve në kujdesin cilësor.

Disa raportuan se ndiheshin fajtorë që nuk janë në gjendje të ofrojnë kujdesin më të mirë për të moshuarit.

“Problemi më i zakonshëm është nevoja e tyre për vëmendje dhe dëshirat e tyre për t'u përmbushur. Duke marrë parasysh kohën dhe ngarkesën e punës, ne përpiquni t'i përmbushni dëshirat e tyre disi por është sfidë. Nuk kemi kohë të mjaftueshme”, tha një nga infermieret.

“Ndonjëherë ndihemi fajtorë. Por neglizhenca në kujdesin ndaj të moshuarve ndodh për shkak të mungesës së stafit”, tha një tjetër infermiere.

Gjithashtu, infermierët përballen edhe me problemet që kanë të moshuarit me njëri-tjetrin.

“Këtu ka edhe persona me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore. Në përgjithësi, ata nuk janë agresivë, por ka raste në të cilat kanë probleme me njëri-tjetrin. Ndonjëherë duhet të ndërhyjmë dhe t'i ndajmë nga njëri-tjetri”.

Pjesëmarrës të shumtë theksuan edhe sfidat në komunikim dhe keqkuptimet me familjet e të moshuarve.

“Ne ndonjëherë kemi probleme edhe me familjet sepse nuk e pranojnë situatën e të afërmve të tyre. Ka raste kur familjarët u imponojnë gjëra pacientëve. Për shembull, ata i detyrojnë të hanë më shumë se sa duan, gjë që është një burim konflikti për ne. Gjithashtu ka dhe raste kur familjarët nuk bashkëpunojnë me ne dhe na shajnë ne. Kjo e bën punën tonë edhe më të vështirë”, thanë infermierët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë