Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 22 urdhër arreste për goditjen e një skeme që merrej me tregtimin e mallrave kontrabandë, ku deri tani janë arrestuar 15 persona dhe 6 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Operacioni ka lidhje me aktivitetin në faqet online të paregjistruara dhe të pa fiskalizuara, të cilat bënin evazion fiskal në vlerë miliona euro.
Kjo skemë u mundësonte personave ose subjekteve tregtare që e zhvillonin konkurrencë të pandershme krahasuar me bizneset e rregullta.
“Nga gjithë veprimtaria hetimore rezultoi që këto subjekte realizojnë një përfitim ekonomik në mënyrë të kundra-ligjshme, duke kryer një veprimtari me rrezikshmëri për vetë marrëdhëniet juridike që thyen, duke kryer veprime në shpërfillje totale të rregullave të vendosura nga legjislacioni tatimor dhe ai doganor, duke thyer rregullat e konkurrencës se ndershme të subjekteve të cilat realisht respektojnë çdo detyrim fiskal dhe në fund duke mashtruar edhe vetë konsumatorin me shitjen e produkteve të pa-çertifikuar për origjinën dhe cilësinë”, – thuhet në dokumentin e prokurorisë.
Bëhet fjalë për një skemë kontrabandë me shitjet online dhe kryesisht për materiale si kozmetike, veshje dhe aksesorë. Policia ka bllokuar disa magazina, ku janë sekuestruar pako mallrash kontrabandë, pa faturë fiskale.
Të arrestuarit në bashkëpunim edhe me individë që nuk kishin regjistruar bizneset, por dhe me subjekte të tjera tregtare, kishin krijuar një skemë për tregtimin dhe transportimin e produkteve që futen dhe dalin nga Shqipëria në mënyrë kontrabandë pa iu nënshtruar tarifave doganore dhe duke shmangur detyrimet tatimore.
Nga kontrolli, është konstatuar se shumë prej pakove me destinacion blerësin nuk ishin të pajisura me kupon ose faturë tatimore sipas legjislacionit përkatës.
Ky operacion është vijim i operacionit “Fast Delivery” i ndërmarrë në nëntor 2021, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i disa shtetasve dhe me pas u morën në përgjegjësi penale bashkë me disa subjekte tregtare që ofronin shërbimin privat postar, duke zbërthyer një skemë të magazinimit dhe tregetimit të mallrave kontrabande, skemë që i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare shtetit.
“Këto subjekte duhet të hetohen, pasi veprimet e tyre plotësojnë tërësisht elementet e figurave të veprave penale të ‘Kontrabandë me mallra të tjerë’, ‘Fshehje të ardhurash’, ‘Mospagim taksash dhe tatimesh’”, – thuhet në vendim.
1.A.H., administrator i dy faqeve Online London Fashion dhe Bo Boo Fashion
2.E.I., administratore tek subjekti Pure Parfume
3.K.V., administrator i subjektit Klodi Store
4.E.K., administrator i faqes King Bro Style
5.J.Q., administrator i faqes Bli Veshje
6.A.S., administrator i faqes online Jaguar kids
7.P.Rr., administratore e faqes Gral
8.E.K., administratore e faqes Fansi Shop
9.E.Xh., adminsitratore e faqes EMY SHOP
10.E.R., administratore e faqes Luxmoda
11.M.B., administrator i faqes online Zero Absolute
12.A.D., administratore e faqes Garderoba ime
13.G.Ll., administrator i faqes Outlet Shoes
14.I.D., administrator i faqes Tutto casa.al
15.M.G., administratore e faqes HM Original Fashion
16.J.K.,administratore e dy faqeve online Chic&Posh Uk dhe Lulita.Uk
17.S.R., administratore e faqes online Dars.Al
18.Sh.P., administrator i faqes Pelinku Store dhe subjekt fizik Shkëlqim Pelinku
19.B.B., administrator i faqes Carpet Diem
20.R.Gj., adminsitratore e faqes Divino Shoes
21.E.Ç., administrator i faqes online BeCool
22.E.Z S., administratore e faqes online Natura Vita Health
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




