Rend dhe Ligj

Skemë falsifikimi për rimbursimin e barnave, arrestohet ish-kreu i FSDKSH

Nga Gazeta Si- Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 8 masa sigurie për administratorin e depos farmaceutike CFO Pharma dhe ish-kreun e punonjës të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) për veprat penale falsifikim dokumentesh dhe fshehje e të ardhurave. Ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumente dhe inventarë fiktivë të barnave me vlerë mbi 700 mijë euro për të përfituar fonde rimbursimi nga FSDKSH.

Për dy prej tyre, është dhënë masa e sigurisë arrest në burg, administratorin e depos Frigul Milla, i cili është shpallur në kërkim, si dhe për ish drejtorin e FSDKSH, Spartak Zekja, i cili është arrestuar.

Për tre punonjësit e Fondit, janë dhënë masat: Romina Agalliu (detyrim paraqitje), Zade Mali (pezullim nga detyra dhe ndalim daljeje jashtë vendit dhe Esjana Gjishti (pezullim nga detyra dhe ndalim daljeje jashtë vendit). Për dy të tjerat, Alba Zylfo dhe Jona Berberi është dhënë masa detyrim paraqitje dhe ndalim daljeje jashtë vendit.

Administratori i depos dhe dy subjekte paraqisnin medikamentet e supozuara si të blera, “Foster” dhe “Trimboë”, duke falsifikuar dokumentet e inventarit dhe faturat e blerjes. Këto medikamente “shiteshin” brenda sistemit, duke lëshuar fatura fiktive drejt farmacive të tjera, edhe pse produktet nuk ekzistonin fizikisht.

Hetimet nisën pas kallëzimit të administratorit të “Medicamenta” që është importues farmaceutik i licensuar dhe kontraktuar me Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për rimbursimin e disa barnave.

Ai kallëzoi se kjo depo dhe dy subjektet e tjera “Pharma Plus” dhe “Nedix Albania” në bashkëpunim me Fondin kryenin veprime fiktive të shitjes dhe blerjes së këtyre dy produkteve dhe si rrjedhojë kanë përfituar fonde rimbursimi në shuma të konsiderueshme.  Dy subjektet, që kishin lidhur kontratë me FSDKSH ku kanë deklaruar shifra të fiktive të gjendjes fillestare të inventarit, me qëllimin shitjet më pas fiktive në depon dhe në farmaci. Njëri subjekt ka deklaruar 2000 kuti “Foster” dhe 1107 kuti “Trimboë” në vlerë 10 milion lekë të reja, pa asnjë blerje. Subjekti tjetër ka deklaruar 4000 kuti “Foster” dhe 11 500 kuti “Trimboë”, në vlerë 60 milionë lekë, pa asnjë blerje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë