Nga Gazeta Si- Gjykata Penale e Tiranës ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje” për mjekët dhe specialistët e Onkologjikut, të cilët dyshohet se drejtonin pacientët me sëmundje tumorale drejt klinikave private.
Në sallën e gjyqit kanë mbërritur 6 prej tyre, ndërsa ish-specialistja e QSUNT e akuzuar për “shpërdorim detyre”, Drilona Kishta ndodhet në SHBA prej kohësh.
E para mbërriti në Gjykatën Penale mjekja Alketa Pere, e cila debatoi me gazetarët, duke menduar më shumë për fotot që i ishin shtrembëruar në media, se sa për skandalin te Onkologjiku.
Megjithatë, Pere mohoi që të ketë dërguar pacientë në klinikat private. Pas saj, mbërriti edhe mjeku Edmond Gashi, i cili në fillim hyri nga dera kryesore e gjykatës.
Para gazetarëve ai u shpreh se “unë bëj vetëm punën time” ndërkohë që nuk ka pranuar të thotë diçka më shumë, duke nxituar të futet brenda Gjykatës.
Por në përfundim të seancës, ku u la në fuqi masa e sigurisë “arrest shtëpie, doli nga një hyrje dytësore, duke shmangur mediat dhe duke u larguar me vrap, aty ku kalojnë vetëm gjykatësit dhe prokurorët.
Gashi largohet me shpejtësi për t’i “shpëtuar” kamerave. Ai zgjedh të mos dalë nga porta kryesore, por ikën me vrap nga pjesa e pasme e godinës së Gjykatës. “Ik o hajdut ik”, i drejtohet një nga personat që e filmon.
Sipas Prokurorisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë “shpërdoruar detyrën”.
Sipas dosjes, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT.
Në dosje theksohet se pasi pacientët merrnin programin e plotë për kurën e tumoreve dhe medikamentet siguroheshin nga shteti, mjekët ndërhynin duke programuar që një pjesë e kurës të blihej jashtë spitalit dhe konkretisht në dy farmaci private.
Masat për 7 të akuzuarit:
-Arrest në shtëpi për mjekun Edmond Gashi, 44 vjeç, i akuzuar shpërdorim detyre.
-Detyrim për t’u paraqitur për koordinatorin pranë Spitalit Onkologjik, Emiljano Lela, 36 vjeç, i akuzuar për shpërdorim detyre.
-Detyrim për t’u paraqitur për mjeken Alketa Ymeri (Pere), 53 vjeçe, e akuzuar shpërdorim detyre.
-Detyrim për t’u paraqitur për zv/drejtoreshën në QSUNT, e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik, Brikena Qirjazi, 52 vjeçe, e akuzuar shpërdorim detyre.
-Arrest në shtëpi për administratorin e farmacisë “Flori Farma”, Florian Marku, 42 vjeç, i akuzuar për tregtim dhe transportim të mallrave që janë kontrabandë dhe ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë.
-Detyrim për t’u paraqitur për pronarin e klinikës private Halil Gashin për fshehje të të ardhurave.
-Detyrim për t’u paraqitur për ish-specialisten pranë QSUNT, Drilona Kishta, e akuzuar për shpërdorim detyre. (Vendimi për të nuk është ekzekutuar pasi është jashtë vendit)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.