Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim çështjen ndaj Safet Gjicit dhe Alma Kaçin, të cilët do të përballen me akuzën për korrupsion.
Për të dy, gjyqtarja e çështjes ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar. Nëse ata do të gjenden fajtorë, do të përfitojnë ulje të dënimit me 1/3.
I pranishëm në seancë, Safet Gjici tha se skenari është i sajuar duke mos kursyer as akuzat. “Nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, asnjë firmë a vendim që të provojë se e kam kryer veprën penale. Është çështje e sajuar nga ushtarë politik”, tha Gjici.
Në seancën me dyer të mbyllura, Kaçi iu ka qëndruar deklarimeve të mëhershme, duke thënë se kishte sinjalizime se pushtetari vendor abuzonte me detyrën, dhe kishte vendosur të kryente skenarin për të provuar dyshimet sipas saj përmes një investigimi.
Safet Gjici ra në pranga në qershor të këtij viti, pak javë pasi ishte rizgjedhur në krye të Bashkisë së qytetit verilindor.
Ai shfaqet në disa pamje filmike të regjistruara në zyrën e tij nga shtetësja Alma Kaçi, duke kryer marrëdhënie seksuale.
Safet Gjici dhe Alma Kaçi janë vënë nën akuzë për 'korrupsion aktiv' dhe 'korrupsion pasiv'.
Sipas SPAK, e cila mbylli hetimet më 25 nëntor 2023, janë përftuar prova dhe të dhëna nga analizimi i të cilave ka rezultuar se e pandehura Alma Kaçi, është personi që i ka ofruar/dhënë përfitime të parregullta të pandehurit Safet Gjici, dhe se ky i fundit pasi ka përfituar prej saj përfitimin e parregullt, në formën e favorit seksual, ka premtuar/pranuar ta ndihmojë me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.