Drejtësia

Skandali në zyrën e Bashkisë së Kukësit, SPAK kërkon 4 vjet e gjysmë burg për Safet Gjicin dhe 1 vit për Alma Kaçin

Gazeta Si - Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën dhe ka kërkuar 4 vjet e gjashtë muaj burg për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici, lidhur me hetimin e realizuar mbi skandalin erotik në zyrën e bashkisë së qytetit verilindor.

Edhe për Alma Kaçin, SPAK kërkon 1 vit e gjashtë muaj, por me gjykim të shkurtuar dënimi ndaj 40-vjeçares me 1 vit burg.

Ndaj Safet Gjicit, SPAK ka ngritur akuzën për korrupsion pasiv, pasi i premtoi Alma Kaçit tenderin për qentë pas aktit seksual në zyrën e kryebashkiakut të Kukësit.

Gjici ndodhet në qeli prej 24 qershorit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme pas publikimit të materialit filmik, ku shfaqet duke kryer marrdhënie seksuale me Alma Kacin.

Më pas, ai shfaqet duke u kërkuar vartësve të kujdeseshin për të kaluar në këshill një projekt të kërkuar prej saj për menaxhimin e qenve të rrugës.

Sipas dyshimeve të SPAK, Safet Gjici ka favorizuar Alma Kaçin duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projektin për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.

Të dy kanë pretenduar se kishin një lidhje intime me njëri-tjetrin përpara se të flisnin në zyrën e shtetit për tender e favorizime dhe pasi kishin kryer marrëdhënie seksuale.

Sipas SPAK, Safet Gjici akuzohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Ndërsa Alma Kaçi, akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë“.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë